Lidhje

Amerikanët, prirje për të lëvizur drejt jugut


Amerikanët gjithmonë ndjejnë një nevojë të brendshme për të lëvizur drejt perëndimit të vendit, por vitet e fundit po lëvizin shumë edhe drejt jugut.

Nga korriku 2017 deri në korrik 2018, pati më shumë njerëz që u zhvendosën drejt Perëndimit dhe Jugut amerikan se sa u larguan nga vendi, sipas zyrës së numërimit të popullatës.

Në përgjithësi, zonat në jug dhe në perëndim pritën më shumë njerëz sesa ato në pjesën qendrore ose në verilindje të vendit.

Teksasi është bërë veçanërisht popullor. Katër qarqe të Teksasit janë ndër 10 vendet e para.

Demografi i Teksasit, Lloyd Potter thotë se ka një arsye pse të ardhurit shkojnë të banojnë në zonat jashtë qarqeve urbane të këtij shteti.

"Në këto qarqe janë duke u krijuar shumë vende pune, por ka gjithashtu strehim të përballueshëm dhe cilësia e shkollave në përgjithësi është mjaft e mirë krahasuar me qarqet urbane", tha ai për Zërin e Amerikës.

Shumica e amerikanëve që lëvizin në Teksas shkojnë atje nga shtetet që janë relativisht afër.

"Shumica migrojnë në Teksas nga shtete si Kalifornia, pastaj Ilinoi, Luiziana, Nju Jorku, Misisipi dhe Pensilvania", thotë zoti Potter.

Florida është gjithashtu një destinacion popullor. Në vitin 2017, më shumë amerikanë u zhvendosën në Florida se në çdo shtet tjetër.

Prej 3,142 qarqeve të Shteteve të Bashkuara, 52% kanë patur rritje popullate gjatë asaj periudhe, që do të thotë se më shumë njerëz kanë lëvizur nga një qark në tjetrin se sa jashtë Amerikës.

Megjithatë, në rreth gjysmën e të gjitha qarqeve, ka patur më shumë vdekje se sa lindje.

Kjo prirje ka qenë më e dukshme në rajonet Verilindore dhe të Apalasheve, në Florida dhe në shtetet veriore të shteteve të qendrës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG