Lidhje

Amerikania Kayla Harrison synon medaljen e artë për xhudo


Atletja amerikane kapërcen abuzimin dhe realizon ëndrrën e saj

Ekipi olimpik amerikan ka fituar qindra medalje të arta, por asnjëherë medaljen e artë në një sport si xhudo. Një amerikane 22 vjeçare shpreson ta ndryshojë këtë në Lojrat e Londrës dhe duket se ajo ka shanse të mira që ta përmbushë ëndrrën e saj.

Kayla Harrison është kampione e botës në xhudo dhe shkon për herë të parë në Lojrat Olimpike, si lojtarja e dytë më e mirë në botë.
“Çdo ditë ëndërroj sikur jam amerikania e parë me medalje ari”.

Për Kaylën, ajo që filloi si mënyrë vetëmbrojtëse…
“Nëna ime e mësoi xhudon në universitet dhe kur isha e vogël, donte që të mësoja vetëmbrojtjen”.
… u kthye në pasion.
“Më pëlqente të luftoja. Për tre vitet e para nuk besoj se fitova ndonjë lojë, por zbavitesha shumë”.

Pastaj erdhi suksesi ndërkombëtar. Ajo sfidon vetveten duke u stërvitur me sportistin tjetër olimpik, Travis Stevens. Dhe ajo e di që kjo e ka ndihmuar të kërkojë më shumë nga vetja.

“Gjithë jetën kam pasur dy objektiva: të jem kampione bote dhe të jem kampione olimpike. Kështuqë kur arrita njërin prej tyre, nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të jesh më e mira në botë për talentin tend. Nuk ka ndjesi më të mirë”.

Kjo ndjesi vjen pas një beteje personale. Kur ishte adoleshente, trajneri i saj e abuzoi atë seksualisht.
“E mbaj mend se ç’do të thotë të ishe viktimë, se si ndjehesha, sa tabu ishte të flisje. E mbaj mend se cfarë ndjesie ishte të hyje diku dhe të të dukej sikur të shikonin të gjithë, të mbulonin djersët dhe ndjeje ankth”.

Por Harrison nuk u dorëzua. Ajo ndryshoi trajner dhe u zhvendos në Boston.
“Ishte shtysa ime për t’u cuar cdo ditë nga krevati. Më ndihmoi të kapërcej atë që më ndodhi”.

Tani pas 6 vjetësh, Harrison është e përqendruar dhe e gatshme të përballojë konkurrencën në Londër.

Ajo do që viktimat e abuzimit ta dine që mund të kapërcejnë traumën dhe të realizojnë ëndrrat e tyre.
“Mund të të ndodhë, por nuk përcakton karakterin tënd. Do të jetë e vështirë, por nuk mund ta lejosh të të kontrollojë jetën. Duhet të flasësh, të ngresh zërin, të jesh e forte”.

Harrison thotë se forca e brendshme e saj e ka burimin tek mbështetja e trajnerit të saj dhe shokëve të ekipit. Ajo e di që ka mbështetjen e tyre në garën e saj për medaljen e artë.
XS
SM
MD
LG