Lidhje

Amnesty International për dënimet me vdekje


Sipas një raporti vjetor të organizatës Amnesty International, 21 vende kanë praktikuar dënimin me vdekje gjatë vitit 2012. Ky është i njëjti numër si në vitin 2011, por shënoi një ndryshim nga dhjetë vite më parë, kur 28 vende kryen ekzekutime. Korrespondentja Sela Hennessy njofton për Zërin e Amerikës nga Londra.

Kamil Alboshoka është një arabo-iranian i cili kërkoi azil politik në Britani shtatë vite më parë.

Dy të afërm të tij dhe tre shokë të ngushtë, të gjithë anëtarë të paakëcës arabe Ahwazi, akuzohen për tradhëti dhe përballen me ekzekutim. Aktivistët thonë se ata janë të pafajshëm dhe janë keqtrajtuar në burg.

Ai i tha Zërit të Amerikës se po të mos ishte larguar nga Irani, do të kishte të njëjtin fat si shokët e tij.

"Patjetër që po të mos isha larguar do të ekzekutohesha së bashku me ta, në të njëjtën situate. Isha me fat që u largova
".

Tani, kur nuk është duke studiuar, ai bën fushatë në mbështetje të organizatave të të drejtave të njeriut për të ndalur ekzekutimet e miqve dhe të afërmve të tij.

"Isha shumë i lidhur me ta dhe kemi kaluar shumë mirë me njeri tjetrin. Kështu që nuk do ta imagjinoja dot ekzekutimin e tyre. Eshtë shumë tronditëse për mua."


Organizata Amnesty International me seli në Londër monitoron ekzekutimet. Ajo thotë se numri i tyre vitin e kaluar në Iran dhe gjetkë në Lindjen e Mesme ishte alarmues.

Jan Wetzel është autori i raportit të vitit 2012 nga Amnesty International.

"75 përqind e ekzekutimeve u kryen në tre vende – Iran, Irak dhe Arabinë Saudite. Veçanërisht në Irak dhe Iran kemi parë qindra ekzekutime – kjo është vetëm ajo që ne kemi arritur të mësojmë – me qindra çdo vit."


Ai thotë se 70 përqind e ekzekutimeve në Iran janë të lidhura me akuzat për drogë.

Sipas raportit, 682 ekzekutime u regjistruan në mbarë botën vitin e kaluar, dy më shumë sesa në vitin 2011. Metodat e ekzekutimit përfshin injeksion vdekjepururës, varje, prerje koke ose me armë zjarri.

Amnesty International thotë se përveç Iranit, Arabisë Saudite dhe Irakut, Kina dhe Shtetet e Bashkuara ishin vendet që kanë kryer më shumë ekzekutime.

Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend në të dyja Amerikat që kryen ekzekutime. Numri ishte 43 në vitin 2011. Në prill, Kënektikati u bë shteti i 17 që hoqi dënimin me vdekje.

Megjithëse shifrat nga Kina janë sekret shtetëror, Amnesty beson se çdo vit kryhen mijëra ekzekutime.

Zoti Wetzel thotë se raporti nënvizon disa lajme të këqija për rajonin e Azi-Paqësorit: rifillimin e ekzekutimeve vitin e kaluar në Japoni, Indi dhe Pakistan.

Por ai thotë se ka gjithashtu lajme të mira.

"Shohim shumë lëvizje pozitive veçanërisht në Afrikën Perëndimore ku qeveritë në Benin, Gana dhe Siera Leone po ndërmarrin hapa drejt ndalimit të dënimit me vdekje."

Megjithë këto lëvizje në Afrikën Perendimore, numri i dënimeve me vdekje në Afrikën Nën-Sahariane u rrit në vitin 2012 për shkak të numrit të lartë në Sudan dhe Gambia. Në Gambia nëntë persona u vranë në gusht – një rritje e madhe nga një mungesë 30 vjecare.
XS
SM
MD
LG