Lidhje

Analistët paralajmërojnë për luftë civile në Jemen


Analistët paralajmërojnë për luftë civile në Jemen
Analistët paralajmërojnë për luftë civile në Jemen

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut thotë se ka marrë njoftime se që nga e diela trupat jemenase kanë vrarë mbi 50 protestues anti-qeveritarë në qytetin e Taizit, ku vazhdojnë luftimet. Ndërkohë njoftohet se luftimet rifilluan sot edhe në kryeqytetin Sanaa, duke lënë të kuptohet se është shkelur një armëpushim mes udhëheqësve fisnorë dhe forcave besnike të Presidentit Ali Abdullah Saleh. Analistë të Lindjes së Mesme thonë se luftimet e kohëve të fundit në Jemen mund ta zhysin vendin në luftë civile. Paqëndrueshmëria në vend shton rreziqet se dega e al-Kaidës me bazë në Jemen mund të ndërmarrë sulme terroriste edhe në vende të tjera.

Për disa muaj me radhë, protestuesit kryesisht paqësorë të frymëzuar nga kryengritjet në Egjipt dhe Tunizi, kanë kërkuar ndryshime politike dhe ekonomike në Jemen. Por ditët e fundit, janë zhvilluar luftime të ashpra në kryeqytetin Sanaa, me bombardime të rënda dhe luftime nëpër rrugë mes milicive fisnore të klanit Hashid dhe forcave pro-qeveritare. Edmund J. Hull ka qënë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Jemen.

“Mendoj se në mungesë të përpjekjeve të koordinuara të komunitetit ndërkombëtar për të ndryshuar drejtimin e situatës aktuale, në Jemen mund të përballemi me shtimin e dhunës dhe ka shumë të ngjarë me luftë civile”.

Luftimet filluan pasi Presidenti Ali Abdullah Saleh refuzoi për të tretën herë të nënshkruante një marrëveshje për transferimin e pushtetit dhe më në fund largimin nga pushteti pas 30 vjetësh sundimi autoritar.

Shefi fisnor Sadiq al-Ahmar ka dalë si rivali kryesor ndaj sundimit të zotit Saleh. Al-Ahmar kryeson një organizatë të fuqishme fisnore në një vend të varfër ku besnikëritë familjare janë të rëndësishme. Katherin Zimerman është eksperte mbi Jemenin në Institutin Amerikan Enterprise.

“Refuzimi i presidentit Saleh për të tretën herë që të nënshkruante një marrëveshje tranzicioni mund të ketë qënë shpresa e fundit për shumë prej këtyre grupeve, të cilët kanë arritur në përfundimin se ndoshta presidenti nuk synon të japë dorëheqjen në mënyrë paqësore dhe se e vetmja mënyrë për transferimin e pushtetit do të jetë nëpërmjet forcës”.

Zyrtarë amerikanë të zbulimit besojnë se al-Kaida në Gadishullin Arabik, me bazë në Jemen, është tani kërcënimi më i madh terrorist për Shtetet e Bashkuara.

Aftësia e Al-Kaidës për të funksionuar në Jemen po zgjerohet pasi operacionet qeveritare kundër këtij grupi terrorist po pakësohen, ndërkohë që trupat janë dislokuar në kryeqytetin Sanaa për të mbrojtur pallatin presidencial dhe infrastruktura të tjera.

Ish ambasadori Hull, autor i librit “Objektiv tepër i vlefshëm – lufta kundër al-Kaidës në Jemen”, thotë se kjo gjendje e bën këtë grup edhe më të rrezikshëm.

“Al-Kaida gjithnjë ka pasur për qëllim të kryejë sulme jo vetëm në Jemen, por edhe në rajon, për shembull në Arabinë Saudite, si dhe në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka pasur asnjëherë dyshim rreth këtij qëllimi, por atë që po shohim tani është shtimi i aftësive për të vepruar në bazë të këtij qëllimi”.

Analistët thonë se trazirat në Jemen po shtojnë hapësirën për të vepruar për al-Kaidën që të planifikojë dhe kryejë sulme. Katherin Zimerman thotë se Amerika duhet të jenë në gjendje gadishmërie.

“Kjo gjendje shton rreziqet për Shtetet e Bashkuara, madje u bën të mundur operativëve të al-Kaidës që të veprojnë shumë lirshëm gati pa u survejuar”.

Ndërsa e ardhmja e Jemenit nuk mund të parashikohet, analistët thonë se trazirat aktuale janë të favorshme për al-Kaidën, e cila, sipas tyre, përbën një kërcënim në rritje për shumë vende, nga Lindja e Mesme deri në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG