Lidhje

Anija luftarake amerikane në ujërat pranë Tajvanit


Destrojeri USS McCampbell (DDG 85) duke kaluar përmes Ngushticës së Tajvanit

Marina luftarake e Shteteve të Bashkuara njoftoi të enjten se dërgoi një destrojer me raketa përmes Ngushticës së Tajvanit, një javë para inaugurimit të Presidentes Tsai Ing-wen. Ajo po merr mandatin e saj të dytë, ndërsa janë shtuar tensionet me Kinën.

Kina, e cila e konsideron Tajvanin territor të sajin, është zemëruar nga mbështetja e fortë e administratës Trump për ishullin, si p.sh. në formën e shitjes së armatimit luftarak. Marrëdhënia Pekin - Uashington është dëmtuar edhe si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Flota Amerikane e Paqësorit, në një deklaratë në faqen e saj në Facebook, tha se destrojeri "USS McCampbell" kishte kaluar të mërkurën përmes ngushticës së ngushtë që ndan Tajvanin nga Kina kontinentale, duke treguar fotografitë e anijes gjatë këtij kalimi.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se anija kishte lundruar drejt jugut në atë që e quajti një "mision të zakonshëm", duke shtuar se po vazhdonte në atë drejtim.

Tsai Ing-wen
Tsai Ing-wen

Zonja Tsai, e cili do të betohet për mandatin e dytë dhe të fundit të mërkurën e ardhshme, fitoi rizgjedhjen me një avantazh të madh në janar, duke u zotuar të mbrojë demokracinë e Tajvanit dhe të përballet me Kinën.

Si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë rritur aktivitetet ushtarake pranë Tajvanit muajt e fundit, përfshirë lundrimet e rregullta amerikane përmes ngushticës së Tajvanit, dhe stërvitje të rregullta të forcave ajrore kineze pranë ishullit.

Të premten e kaluar, Tajvani tha se një aeroplan kinez i forcave ajrore Y-8 kishte kaluar shkurtimisht mbi Zonën e Mbrojtjes Ajrore të Tajvanit, duke bërë që avionët e Tajvanit ta paralajmëronin që të largohej.

Avioni kinez Y-8
Avioni kinez Y-8

Kina i përdor avionët Y-8 si aeroplanë transporti dhe si mjete vrojtimi të hershëm dhe të luftës elektronike.

Tajvani ka denoncuar stërvitjet kineze si përpjekje për frikësim dhe i ka thënë Pekinit se duhet të përqendrojë përpjekjet e tij në luftimin e koronavirusit, dhe jo të rrezikojë ishullin tajvanez.

Kina e konsideron zonjën Tsai një separatiste, akuzat që ajo i mohon me forcë.

Në fund të javës së ardhshme, Kina do të çelë mbledhjen e saj të vonuar vjetore të parlamentit, ku pritet të nxjerrë buxhetin e saj të mbrojtjes për këtë vit, një shifër që vëzhgohet me vëmendje në mbarë rajonin, ndërsa Presidenti Xi Jinping po mbikëqyr një plan modernizimi ushtarak.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG