Lidhje

Anketuesit përmirësojnë teknikat para zgjedhjeve presidenciale


Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, kandidati i atëhershëm Donald Trump mori afro 25 mijë vota më shumë se kundërshtarja e tij në shtetin Wiskonsin pas numërimit të afro 3 milion fletëve votimi.

Fitorja në atë shtet e ndihmoi atë të korrte një fitore më të madhe kundër demokrates Hillary Clinton. Duke hedhur vështrimin përpara, të dy partitë politike kërkojnë fitore në Wiskonsin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, shumë anketues që matën ndjenjat e votuesve në javët para zgjedhjeve të vitit 2016 dhe bënë parashikime të gabuara, tani janë të angazhuar për parashikime sa më të sakta.

Votuesja nga fshati Egg Harbor në shtetin Uiskonsin (Wisconsin) Bernadette Rainsford beson se egziston një arsye kryesore se përse Donald Trump fitoi në këtë shtet në vitin 2016.

“Hillary nuk bëri fushatë këtu dhe kjo mund të ketë ndihmuar," thotë ajo.

Edhe demokratë të tjerë në Uiskonsin besojnë se zonja Clinton mund të kishte fituar atje nëse do të kishte bërë tubime me votuesit në ditët e fundit të fushatës.

Por sondazhet në Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani, tre shtete ku Trump korri fitore të ngushtë, sugjeronin se Clinton kryesonte dhe nuk kishte nevojë të shkonte atje për fushatë.

“Mbi 100 sondazhe u zhvilluan në ato tre shtete, dhe vetëm një në Miçigan në tetor tregoi se Trump kryesonte," thotë Charles Franklin, profesor në Universitetin Marquette në Uiskonsin.

“Anketat e pasakta, përfshi timen, bënë që shenjat të flisnin për një fitore të zonjës Clinton. Gjithandej u bë ky gabim,” thotë ai.

Në disa shtete, por jo në shkallë kombëtare.

“Në shkallë kombëtare, anketat e tregonin për një epërsi prej tre pikësh për zonjën Clinton..ajo faktikisht fitoi votën popullore me një diferencë prej afro 2 përqind,” thotë profesori.

Profesori cition disa faktorë se përse sondazhet atëherë nuk parashikuan me saktësi rezultatin. Shumë votues të pavendosur bënë zgjedhjet e tyre pak javë para votimeve, kur zoti Trump bëri fushatë disa herë në atë shtet. Ndërsa zonja Clinton bëri fushatë diku tjetër.

“Prej të anketuarve që thanë se vendosën në javën e fundit, dy të tretat e tyre votuan Trumpin dhe një e treta për Clinton, sipas të dhënave nga anketat pas votimit në Uiskonsin. Të anketuarit që nuk pëlqenin asnjërin kandidat, 75 përqind e tyre votuan për zotin Trump.”

Niveli arsimor mes të anketuave është një faktor tjetër thotë profesori Franklin.

“Në të kaluarën, individët me arsim të lartë kanë votuar më shumë për republikanët. Por në vitin 2016, në mbarë vendin por edhe në këto tre shtete, zoti Trump gjeti mbështetje të fortë tek shtresa e bardhë e popullsisë pa arsim të lartë. Anketuesit tani po e përfshijnë në sistemin e tyre edhe këtë çështje të arsimit që nuk ka qënë më parë.”

Profesori thotë se është i përkushtuar që kësaj here parashikimet të jenë të sakta për zgjedhjet e nëntorit.

“Kemi përgjegjësi profesionale për të raportuar të dhënat më të mira që jemi në gjendje të hartojmë.”

Votuesja Bernadette Rainsford shpreson që i emëruari demokrat të mos mbështetet shumë tek anketat kësaj radhe. Ajo ka vënë re se kandidatët po i kushtojnë më shumë vëmendje shtetit të saj.

“Jam e kënaqur që demokratët do të jenë këtu kësaj here,” thotë ajo.

Profesori Franklin thotë se sondazhet aktuale tregojnë se shumica e kandidatëve kryesorë demokratë kanë epërsi përballë kandidatit republikan në zgjedhjet e nëntorit. Por ai shton se shumë gjëra mund të ndryshojnë deri atëherë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG