Lidhje

Presidenti Trump zemërohet me ekipin e tij elektoral


Presidenti Donald Trump shpërtheu javën e kaluar ndaj këshilltarëve të tij kryesorë politikë, të cilët i paraqitën të dhëna shqetësuese nga anketime të zhvilluara në disa shtete kyçe amerikane. Ky zhvillim vjen ndërsa po kritikohet përgjigja e tij ndaj koronavirusit.

Virusi vazhdon ndërkohë të shkaktojë viktima dhe pjesa më e madhe e ekonomisë amerikane mbetet e mbyllur. Anketimet e reja të Komitetit Kombëtar Republikan dhe fushatës elektorale Trump tregojnë një pamje të trishtë për presidentin që do të përballet me rizgjedhjen.

gjatë seancave të informimit për koronavirusin
gjatë seancave të informimit për koronavirusin

Megjithëse Presidenti Trump pati disa prej niveleve më të mira të miratimit gjatë javëve të para të krizës, ndihmësat sollën në dukje koston në rritje politike të kësaj krize, si dhe të gabimeve të panevojshme gjatë konferencave të tij për shtyp.

"Nuk do të humbas përballë Joe Biden-it", përsëriti ai gjatë disa telefonatave me tone të nxehura me zyrtarët kryesorë të fushatës së tij elektorale, sipas pesë personave në dijeni të këtyre bisedave. Ata folën në kushte anonimiteti pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për biseda private.

Joe Biden buzëqesh ndërsa merr mbështetjen e ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton
Joe Biden buzëqesh ndërsa merr mbështetjen e ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton

Mesazhi për presidentin ishte tronditës: Presidentit Trump iu tha se po mbetej pas ish-Nënpresidentit demokrat në disa shtete kyçe dhe se do të humbiste Kolegjin Elektoral nëse votimi do të ishte zhvilluar këtë muaj.

Me lidhje telefonike nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump kritikoi situatën e shifrave në anketime gjatë disa telefonatave me menaxherin e fushatës elektorale Brad Parscale, i cili fliste nga Florida; me kryetaren e Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel, nga shtëpia e saj në Miçigan; me këshilltarin e tij të lartë Jared Kushner, dhe ndihmësa të tjerë.

Duke mbështetur thirrjet e disa zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe këshilltarëve të jashtëm, ekipi politik i bëri thirrje Presidentit Trump të ndërpresë seancat e tij informuese për koronavirusin, duke argumentuar se këto sesione luftarake po i kushtojnë në anketime, në veçanti në radhët e më të moshuarve. Presidenti Trump kundërshtoi fillimisht, duke vënë në dukje nivelin e lartë në shikueshmërinë televizive. Megjithatë, ai ra dakort që të paktën përkohësisht të reduktonte këto seanca, pasi u kritikua ashpër kur ngriti idenë që amerikanët mund të mbroheshin nga virusi duke injektuar dezinfektantë.

Ndihmësat e inkurajuan presidentit të qëndrojë larg çështjeve mjekësore dhe ta drejtojë fokusin e tij ndaj një terreni më të njohur dhe më të rëndësishëm politikisht: tek ekonomia.

Megjithëse Presidenti Trump ushtron optimizmin, ai ka shprehur irritimin, madje edhe pafuqishmërinë, ndërsa statistikat e situatës së rëndë ekonomike vazhdojnë të mblidhen. Ka qenë një goditje kthjelluese për presidentin, i cili vetëm dy muaj më parë planifikonte të konkuronte për t'u rizgjedhur mbështetur tek ekonomia që po përjetonte nivele paprecedenta punësimi. Tashmë që të dhënat vazhdojnë të lëvizin në drejtimin e kundërt, Presidenti Trump po ndjen presionin.

"Kemi ndërtuar ekonominë më të mirë të botës", tha publikisht Presidenti Trump. "Do ta ndërtojmë për të dytën herë".

Ekipi i tij politik paralajmëroi se shanset e presidentit për rizgjedhje varen nga sa shpejt do të jetë në gjendje të rimëkëmbet ekonomia.

"Mendoj se deri në qershor do ta shohim shumicën e vendit të kthehet në normalitet dhe shpresa është që në korrik vendi të jetë sërish duke ecur shkëlqyeshëm", tha zoti Kushner gjatë emisionit "Fox & Friends" të mërkurën. Por, ndihmësa të tjerë, udhëheqës të biznesit dhe ekonomistë parashikojnë një rrugë shumë më të gjatë drejt rimëkëmbjes.

Përfaqësuesit e Komitetit Kombëtar Republikan dhe fushatës Trump nuk komentuan për anketimet apo telefonatat e javës së kaluar. Në një mesazh në Twitter pak pas mesnatës të së mërkurës, Presidenti Trump mohoi t'i ketë bërtitur së fundmi menaxherit të fushatës së tij dhe tha se "ai po bën një punë të shkëlqyer".

Sipas personave me njohuri të incidentit, Presidenti Trump e shkarkoi pjesën më të madhe të irritimit të tij tek zoti Parscale, i cili shërbeu si transmetuesi i lajmeve jo të mira.

Brad Parscale
Brad Parscale

Presidenti Trump nuk u ka besuar prej kohësh shifrave negative në anketime - ai u ka thënë ndihmësave prej vitesh se instikti i tij ishte i duhuri për zgjedhjet e 2016-tës, kur ai këmbëngulte se kryesonte në shtetet e mesperëndimit dhe në Florida. Por në të njëjtën kohë, zoti Parscale dhe ndihmësa të tjerë të presidentit vënë në dukje sofistikimin këtë radhë të të dhënave të tyre dhe të aftësive për të kontaktuar votuesit.

Presidenti dhe disa ndihmësa kanë patur tensione prej kohësh me zotin Parscale (një aleat i afërt i zotit Kushner), duke besuar se në rolin e kryetarit të fushatës ai ka pasuruar veten nëpërmjet asocimit me Presidentin Trump, si dhe ka përfituar publicitet personal. Presidenti Trump ishte zemëruar në të kaluarën kur zoti Parscale ishte bërë subjekt i profileve të revistave. Episodi më i fundit ndodhi pak përpara se menaxheri i fushatës të shfaqej në një profil të revistës së kësaj jave të gazetës The New York Times.

Nidhmësat janë në veçanti të shqetësuar për shtetin Miçigan - që disa këshilltarë e kanë hequr madje fare nga lista - si dhe për shtetet Florida, Uiskonsin dhe Arizona.

Presidenti Trump njoftoi të mërkurën se do të vizitojë Arizonën javën e ardhshme - udhëtimi i tij i parë jashtë Uashingtonit për gati një muaj - ndërsa po kërkon të shpallë se shumica e vendit është gati të fillojë rihapjen pas virusit.

Presidenti e ka përshkruar zotin Biden, rivalin e pritshëm elektoral, si "të ngecur në bodrumin e tij" në shtetin Dellauer gjatë pandemisë.

Presidenti Trump tha të mërkurën se shpreson të vizitojë së shpejti Ohajon, një ndër shtetet kyçe që ai fitoi në vitin 2016, por që ndihmësave u rezulton të ketë ndryshuar gjatë javëve të fundit.

Ndihmësat pranojnë se tubimet e mirënjohura të presidentit nuk ka gjasa të rikthehen në të ardhmen e afërt. Disa kanë shprehur madje dyshimin e tyre nëse ai do të jetë në gjendje të organizojë ndonjë tjetër tubim të tillë të mbingarkuar përpara datës së zgjedhjeve më 3 nëntor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG