Lidhje

Beteja ligjore mes firmave Apple dhe Samsung


Firma Apple ka humbur raundin e fundit të betejës ligjore me rivalin e saj koreanojugor Samsung. Një gjykatë japoneze vendosi sot se firma Samsung nuk kishte vjedhur teknologjinë e përdorur nga Apple për telefonat e saj inteligjent dhe për kompjuterat tabletë Galaxy.

Kompania Samsung e mirëpriti vendimin e Gjykatës së Tokios, i cili hedh poshtë pretendimet e kompanisë Apple, duke thënë se ky vendim konfirmon atë që ajo ka theksuar prej kohe se prodhimet e saj nuk kanë shkelur patentat e kompanisë Apple. Kompania Apple nuk bëri komente menjeherë pas vendimit të gjykatës.

Vendimi vjen vetëm një javë, pasi një gjykatë amerikane vendosi se Samsungu kishte kopjuar pjesë të rëndësishme teknologjike të përdorura në Iphone dhe si rezultat Samsung duhet t’i paguajë kompanisë Apple mbi 1 miliardë dollarë dëmshpërblime.

Kjo çështje pritet të vazhdojë të shqyrtohet në gjykata për një kohë të gjatë, por, sipas analistëve, vendimi i javës së kaluar do të ketë pasoja më të mëdha për prodhuesit e teknologjisë së lartë dhe për konsumatorët.

Pas vendimit të gjykatës në shtetin e Kalifornisë, tregjet financiare reaguan duke shkaktuar një rënie të aksioneve të kompanisë Samsung me më shumë se 8 përqind dhe duke ngritur çmimet e aksioneve të kompanisë Apple. Por, më i rëndësishëm se gjoba 1 miliardë dollarëshe është mesazhi që jep ky vendim.

Sascha Segan është analist pranë revistës PC Magazine.

“Të gjithë prodhuesit e tjerë të telefonave janë të frikësuar tani se firma Apple do të ngrejë padi kundër tyre në bazë të patentave. Sidomos për patentën për ekranin e iPhone-it që ka ngjashmëri me prodhimet e kompanive tjera”.

Firma Apple ka paraqitur një listë me tetë artikuj të kompanisë Samsung që ajo dëshiron të ndalohen për shkelje patente, një veprim për të cilin analistët thonë se mund t’i kushtojë miliarda dollarë kompanisë Samsung.

Por redaktori i revistës Macworld Armando Rodriguez thotë se Samsung nuk është e vetmja kompani e prekur nga ky vendim.

“Është gjithashtu një goditje për kompanitë Google dhe Android sepse ato janë konkurrente të firmës Apple”.

Në një deklaratë me shkrim, Samsung e quajti vendimin “një humbje për konsumatorin amerikan”. Profesorja e drejtësisë Robin Feldman pajtohet me këtë vlerësim. Ajo thotë se vendimi do të çojë në uljen e novacionit, të alternativave dhe në çmime më të larta për konsumatorët.

“Kur kompanitë shpenzojnë këto shuma për beteja globale, atyre u zvogëlohet buxheti për shpenzime në novacione dhe gjithmonë është konsumatori ai që humb nga kjo”.

Apple, tani kompania më e madhe në botë, është aktualisht e përfshirë në një sërë procesesh gjyqësore për shkelje patentae kundër kompanive të ndryshme, përfshirë kompanitë Google dhe Microsoft. Betejat ligjore mund të zgjasin vite me rradhë.

Profesorja Feldman thotë se bëhet fjalë për mbizotërimin e industrisë së telefonave inteligjentë që tani vlerësohet në më shumë se 200 miliardë dollarë në vit dhe është në rritje.
XS
SM
MD
LG