Lidhje

Qeveria: gati kontrollet ndaj informalitetit


Qeveria shqiptare deklaroi sot se informaliteti në ekonomi është mbi 30 për qind, madje gjysma e bizneseve, sipas saj, nuk u japin klientëve fatura fiskale.

Lufta kunder informalitetit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:09 0:00

Këto komente u bënë sot nga ministri i zhvillimit ekonomik, tregtisë, turizmit dhe sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, i cili shpalli nisjen e një kontrolli të gjerë kundër informalitetit në muajin shtator.

Nisjen e kontrolleve kundër informalitetit qeveria e njoftoi para sezonit të pushimeve, duke e parë këtë si një periudhë ultimative që bizneset të rregullojnë dokumentat sipas ligjit.

Qeveria u bëri thirrje qarqeve të biznesit që ditët e mbetura deri në shtator të plotësojnë kushtet ligjore për t'u bërë biznese të rregullta, para se të mbërrijnë kontrollet dhe ndëshkimet e përcaktuara.

Pas deklaratave të ministrit Ahmetaj, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, deklaroi për Ditarin e “Zërin e Amerikës” përmes telefonit se informaliteti në ekonomi vërtet është alarmues dhe i dukshëm dhe se shkelësit duhen ndëshkuar, por pa krijuar panik në klimën e biznesit vendas.

Zoti Jaka tha se evazioni dhe informaliteti duhen goditur me reforma që rritin besimin tek bizneset e rregullta dhe lehtësojnë punën e tyre.

“Biznesi duhet të shihet si partner, dhe kontrollet kundër informalitetit duhen bërë pa dëmtuar partneritetin me bizneset e rregullta” - theksoi zoti Jaka. Ai shtoi se “dy vjet i mjaftojnë koalicionit qeveritar për të hartuar një strategji kundër informalitetit, dhe për të goditur biznese, që lundrojnë prej kohësh në informalitet dhe evazion fiskal”.

Megjithatë, studiues të pavarur të ekonomisë kritikuan disa ditë më parë trajtimin me aksione afat-shkurtra të plagëve shumë-vjeçare të ekonomisë.

Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike, pohoi se sëmundje të hershme si evazioni, informaliteti dhe korrupsioni nuk goditen me fushata disajavore dhe dënime ekstreme, por me këmbëngulje të përditshme dhe me shkëputjen e lidhjeve korruptive midis politikanëve dhe bizneseve.

Sipas tyre, shumë nga firmat informale dhe evazioniste i bëjnë shkeljet ligjore të qeta nën mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar.

Nga ana tjetër, opozita ka njoftuar në shtator një stinë protestash e motivuar, siç tha kryetari i PD, Lulzim Basha, kundër arbitraritetit, paligjshmërisë, dhe korrupsionit politik e financiar të qeverisë Rama.

Ai deklaroi disa ditë më parë se luftën ndaj informalitetit qeveria Rama u betua ta niste qysh ditën e parë, por tani kanë kaluar dy vjet dhe ai sulmoi vetëm bizneset që nuk janë klientë të qeverisë.

Kryetari i opozitës Basha tha se ortakët e qeverisë kanë kapur me monopole degë të ekonomisë dhe se qeveria nuk mund ta bëjë luftën ndaj informalitetit, sepse ata vetë janë përgjegjësit kryesorë të evazionit fiskal, korrupsionit, dhe falimentimit të ekonomisë shqiptare.

XS
SM
MD
LG