Lidhje

Tiranë: Sondazh mbi besueshmërinë ndaj institucioneve dhe partive


Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë publikoi sot në Tiranë sondazhin Barometri Social-Politik i Shqipërisë. Sondazhi zbuloi një mosbesim të ndjeshëm të opinionit publik ndaj institucioneve, partive, reformave dhe ecurisë së zgjedhjeve të ardhshme. Një pjesë e madhe e qytetarëve të anketuar nuk besojnë se reforma në drejtësi do t'i përmirësojë gjykatat. Po ashtu, një përqindje e konsiderueshme shprehin dyshimin se zgjedhjet e adhshme mund të manipulohen.

Shqipëri, Barometri Social-Politik
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Pjesa dërrmuese e qytetarëve të anketuar pohuan se nuk kanë besim tek institucionet publike dhe as te partitë politike, ata nuk janë të kënaqur me qeverisjen e vendit dhe kanë pak shpresa në përmirësimin e gjendjes.

"Studimi gjeti një mosbesim të madh të qytetarëve ndaj të gjitha institucioneve, për shkak të varfërisë, korrupsionit, padrejtësive dhe papunësisë masive që ata ndeshin përditë" - tha Arben Çejku, drejtues i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë.

Problemi kryesor vazhdon të mbetet papunësia e lartë në qytete dhe akoma më e lartë në fshatra dhe në periferi.

Qytetarët pohojnë se besojnë tek gjykatat vetëm 2 për qind, tek parlamenti 4 për qind, tek presidenti, opozita dhe qeveria përkatësisht 9, 10 dhe 12 për qind, ndërsa 63 për qind e të anketuarve nuk besojnë tek asnjëri nga institucionet.

Të anketuarit pohojnë një zhgënjim të madh nga politika.

Mbi 75 për qind e të anketuarve, nga të gjitha grup-moshat, u përgjigjën se politika nuk kujdeset aspak për problemet e tyre.

Qytetet me zhgënjimin më të madh nga politika janë Durrësi, Elbasani dhe Tirana.

Rreth 70 për qind e qytetarëve të anketuar vlerësojnë se situata e tyre ekonomike është më keq se një vit më parë.

Vetëm 10 për qind thonë se janë më mirë, dhe 20 për qind janë njëlloj si më parë.

Ata pohojnë se kriza ekonomike, papunësia janë shqetësimet e tyre kryesore.

Mosbesimi ka përfshirë qytetarët edhe sa i takon reformës në drejtësi.

Vetëm 2 për qind e tyre kanë besim te gjykatat aktuale, por vetëm gjysma e tyre kanë besim se pas reformës në drejtësi sistemi gjyqësor do të bëhet më i mirë, pjesa tjetër pohojnë se ai nuk do të përmirësohet.

Nga shërbimet publike qytetarët shprehin më shumë pakënaqësi ndaj spitaleve dhe ssistemitt tatimor dhe më pak ndaj shkollave dhe policisë.

Sondazhi, sipas autorëve, zbuloi edhe një herë krizën ekonomike dhe sociale në vend, kur afro gjysma e të anketuarve pohojnë se të ardhurat që kanë marrë këto 3 vjet janë të pamjaftueshme, mbi 30 për qind morën të ardhura minimale dhe vetëm 20 për qind kanë patur të ardhura të mjaftueshme.

Mosbesimi i qytetarëve ndaj institucioneve dhe partive është i njëjti edhe sa u takon reformës zgjedhore dhe ecurisë së zgjedhjeve të ardhme.

Mbi 60 për qind e të anketuarve pohojnë se zgjedhjet e ardhshme mund të manipulohen, dhe se partitë bëjnë zgjedhje për veten e tyre dhe jo për të mirën e qytetarëve.

Autorët e studimit barometri social-politik i Shqipërisë mendojnë se ky mosbesim kaq i lartë tek procesi zgjedhor mund të sjellë një mospjesëmarrje të gjerë të qytetarëve në votimet e ardhshme.

Pushteti vendor sërish ka qëndruar larg halleve të bashkësive qytetare, sepse 60 për qind e të anketuarve thonë se bashkitë kanë punuar pak dhe aspak mirë.

Vështirësitë më të mëdha që ndeshin qytetarët, sipas renditjes që bëjnë ata vetë në këtë barometër, janë papunësia, korrupsioni, varfëria, pasiguria e jetës dhe e pronës si dhe mungesa e shpresës për të ardhmen.

XS
SM
MD
LG