Lidhje

Ngrohja e Arktikut dhe temperaturat e ulta në Evropë


Temperaturat në Arktik gjatë ditëve të fundit janë rritur mbi pikën e ngrirjes, duke shtuar shqetësimet se ndryshimet klimatike po ndikojnë në atmosferën e planetit duke bërë që shtresa e ngrirë e Arktikut të shkrihet më shpejt nga sa parashikohej. Shkencëtarët thonë se rajoni i Arktikut po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale, por në të njëjtën kohë shumica e Evropës po përjeton një mot të ftohtë. Siç njofton korrespondenti Henry Ridgwell nga Londra, disa shkencëtarë besojnë se këto dy ngjarjet janë të lidhura.

Svalbard ndodhet lart në Rrethin e Arktikut. Është ende dimër, kështu që dielli nuk do të ngrihet mbi horizont edhe për tre javë të tjera, e megjithatë akulli po shkrin.

Makinat e dëborës shtrihen mbi baltë. Gjatë 30 ditëve të fundit temperaturat janë rritur me 10 gradë Celsius mbi mesataren. Të dhënat e stacioneve meterologjike tregojnë se temperatura ka arritur mbi pikën e ngrirjes në Polin e Veriut.

“I kemi parë edhe më parë këto ngjarje të ngrohjes së temperaturave në dimër. Ajo që dimë tani është se po bëhen më të zakonshme dhe po zgjasin më shumë. Gjithashtu po intensifikohen”, thotë klimatologu i NASA-s, Alek Petty.

Sisteme të presionit të ulët po shkojnë drejt Arktikut. Në të njëjtën kohë, mbulimi i detit nga akulli në dimër është në nivelet më të ulta që kur filluan të regjistrohen këto të dhëna.

“Oqeani ruan një sasi të madhe të nxehtësisë dhe sapo ta largosh shtresën e akullit kjo nxehtësi mund të transformohet në atmosferë dhe ne mendojmë se këto presione të ulta po fitojnë ngrohje shtesë”, thotë G.W.K Moore në Universitetin e Toronto.

Moti i ngrohtë i Arktikut përkon me një goditje jashtëzakonisht të rëndë të të ftohtit në të gjithë Evropën. Në Ukrainë, moti i rëndë ka shkaktuar ndërprerjen e rrymës elektrike. Dëbora ka mbuluar Koloseun në Romë.

Një teori e njohur si "Arktik i ngrohtë, kontinente të ftohta" sugjeron se erërat që qarkullojnë në Arktik dhe që normalisht e mbajnë atë të ftohtë, po bëhen të paqëndrueshme.

Ajri i ngrohtë futet aty ndërsa ajri i ftohtë shkon në gjerësi gjeografike më të ulëta.

“A është kjo humbje e akullit dhe kjo ngrohje e shpejtë që po shohim në Arktik që po i bën këto temperatura të ftohta në Evropë më të zakonshme? Kjo është çështja më e debatueshme. Fatkeqësisht nuk kemi shumë të dhëna të këtyre ndryshimeve”, thotë klimatologu Alek Petty.

30 kilometra më lart, ka ndodhur edhe ajo që është quajtur Ngrohja e Papritur Stratosferike, që po shkakton një ndikim të madhe tek moti.

“Në thelb ajo trazon rrymën e ajrit, erërat e forta që shkojnë përshkojnë Tokës. Dhe kjo rrymë e trazuar e ajrit po shkon tani drejt Evropës nën ndikimin e erërave lindore nga Siberia", shpjegon G.W.K. Moore në Universitetin e Torontos.

Në aspektin afat-shkurtër, temperaturat e ulta shkaktojnë vonesa në udhëtime.

Në aspektin afat-gjatë, ndikimi – megjithëse ende i pakuptuar mirë – mund të jetë shumë më i thellë për gjithë planetin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG