Lidhje

Guvernatori Fullani shpreh optimizëm për ekonominë në 2014


Ekonomia shqiptare është në vështirësi të mëdha, megjithatë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dha sot parashikime optimiste se viti 2014 mund të jetë viti i mëkëmbjes ekonomike, falë një serie masash që po merren nga të gjitha anët. Ai tha se viti që sapo u mbyll ishte një vit i vështirë, me ngadalësim të dukshëm ekonomik, me investime, konsum dhe kredi në rënie dhe me borxhe në rritje. Ekonomia gjatë 2013, sipas zotit Fullani, kaloi në një mjedis të pafavorshëm zgjedhor dhe me luhatje në të gjitha tregjet. Edhe për këtë vit gjendja finaniare e subjekteve publike dhe private mbetet e vështirë dhe kjo kufizon mundësinë për të investuar. Megjithatë po jepet e gjithë mbështetja për të dalë nga kjo gjendje, tha zoti Fullani.

Fullani optimist për ekonominë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

“Unë mendoj që situata do të jetë më pozitive. Ka vend për më shumë optimizëm, për më shumë punë. Viti 2014 është viti i realizimit të detyrave. Kemi shumë detyra për të bërë. Por pozitive është se masat po merren, po jepen të gjithë energjitë përkatëse” - tha zoti Fullani.

Banka e Shqipërisë ka kërkuar reduktimin e borxhit në një periudhë afatmesme, për shkak të nivelit të lartë të tij. Rritja e prodhimit dhe e eksporteve, si dhe ulja e borxhit dhe e kredive të këqija shihen si mjete kryesore që ekonomia e vendit të përmirësohet, tha zoti Fullani. Banka e Shqipërisë, qeveria, fmn dhe banka botërore po bashkëpunojnë për të ristrukturuar tregun bankar, dhe për të fshirë kreditë me probleme aty ku është mundësia.

“Ulja e kredive me probleme kërkon masat e duhura, kërkon një plan kombëtar dhe kërkon kohën e duhur. E rëndësishme është që sistemi bankar është solid, është i mirëkapitalizuar, dhe po performon mbi nivelin mesatar të rajonit dhe të eurozonës, megjithë problemet që ekonomia globale ka dhe ndërvarësinë nga bankat mëma të tyre” - tha zoti Fullani.

Ekonomia e Shqipërisë shënoi një rënie të fortë në 3-mujorin e tretë të vitit të kaluar, deri në -2,26 për qind. INSTAT raportoi se pothuaj të gjithë sektorët kanë shënuar rënie, ndërsa humbjet më të mëdha i shënuan ndërtimi, industria dhe tregtia. Studiuesit pohuan se kjo ishte rënia më e madhe e shënuar ndonjëherë në ekonomi dhe e treta në 5 vitet e fundit.

Këto tregues të fundit shtuan skepticizmin e institucioneve ndërkombëtare që studiojnë ekonoinë shqiptare. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaroi se rritja ekonomike e Shqipërisë do të frenohet gjatë këtij viti për shkak të konsolidimit fiskal që synohet në marrëveshjen e qeverisë me FMN-në.

BERZH-i publikoi një raport mbi rajonin, ku theksohej se rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë 2014 parashikohej në 1.7 për qind nga 2 për qind që e parashikoi në muajin tetor. BERZH tha se problemet e brendshme të ekonomisë e ndryshën rritjen ekonomike në Shqipëri vitin e kaluar, krahas krizës në shtetet fqinje. Në raportin mbi perspektivën rajonale, BERZH theksoi se bizneset janë në gjendje të dobët financiare, qeveria ka mjaft detyrime të prapambetura, ndërsa kreditë e këqija janë në rreth 25 për qind.

Qeveria shqiptare ka hartuar një marrëveshje ambicioze me FMN për të dalë nga kjo gjendje, duke kthyer qëndrueshmërinë makro-ekonomike, duke kthyer borxhet dhe detyrimet privatëve, duke ndryshuar sistemin e taksave dhe duke nxitur prodhimin vendas. Por ekspertët pohojnë se të gjitha këto mund të sjellin një përmirësim të lehtë në ekonomi.

XS
SM
MD
LG