Lidhje

Tirana: Masa ndaj virusit Ebola


Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli një ditë më parë gjendjen e emergjencës ndërkombëtare kundër virusit Ebola.

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli dje emergjencë ndërkombëtare përballë shpërthimit të virusit Ebola në Afrikën perëndimore. Deklarata kërkoi rritjen e masave për të parandaluar importimin e virusit në shtete të tjera dhe trajtimin e rasteve të mundshme. Shqipëria ka nisur edhe më parë ngritjen e masave parandaluese në pikat kufitare ajrore, ndonëse udhëtimet me Afrikën perëndimore janë të papërfillshme në numër. Po ashtu në spitalin infektiv janë bërë gati struktura fizike dhe protokolle trajtimi standarte, si dhe po trajnohet personeli mjekësor.

Virusi Ebola ka një natyrë të pazakontë dhe forca goditëse dhe përhapëse e tij është e madhe, ndaj OBSH kërkoi një një koordinim të fuqishëm ndërkombëtar kundër tij. Në qendrën spitalore universitare Nënë Tereza, dr. Arjan Harxhi, pranë Spitalit të Sëmundjeve Infektive, thotë që shpallja e emergjencës ndërkombëtare nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kundër virusit Ebola e ka nxitur edhe Shqipërinë të shtojë masat dhe mjetet ndaj sëmundjeve epidemike në tërësi.

Dr. Harxhi thotë se karahas virusit Ebola ekziston një paketë sëmundjesh të rrezikshme si murtaja, ethet e verdha, gripi pandemik etj, të parashikuara në një konventë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përballë të cilave Shqipëria dhe çdo shtet duhet të kenë gati në çdo kohë protokollet standarte të parandalimit dhe trajtimit. Ai thotë që edhe pse nuk ka sëmundje infektive, bazuar në konventat e OBSH-së Shqipëria duhet t'i kushtojë më shumë rëndësi atyre në sistemin shëndetësor.

OBSH ka kërkuar që për udhëtimet ajrore me Afrikën duhet të shtohet kujdesi dhe informacioni ndaj çdo udhëtari, sepse vetëm përmes fluturimeve të njerëzve nga zonat e prekura mund të ndodhë përhapja, por pa qenë nevoja të përphapet panik i kotë në zona ku nuk ka asnjë kusht për përhapjen e kësaj epidemie. Ebola ka vrarë deri tani mbi 930 persona në 3 shtete të Afrikës Perëndimore, Guine, Liberi dhe Siera Leone.

XS
SM
MD
LG