Lidhje

Tiranë: Shtohen arrestimet për dhunë në familje pas vrasjes së gjyqtares Hafizi

Policia e Tiranës njoftoi sot se arrestoi 5 persona për dhunë fizike dhe psikologijke në familje, ndaj grave dhe fëmijëve të tyre.

Të arrestuarit e fundit janë të moshave nga 30 deri në 70 vjeç, shenjë kjo se dukuria ka një shtrirje të gjerë në shoqëri.

Kjo valë e fundit e arrestimeve për dhunë në familje erdhi disa ditë pas vrasjes me armë zjerri të gjyqtares Fildes Hafizi nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi sot një kontroll të posaçëm ndaj 3 gjyqtarëve, që i dhanë atij një dënim të lehtë pas përpjekjes për ta vrarë gjyqtaren me armë dy vjet më parë në një mjedis publik në plazhet e Golemit të Kavajës.

Pas këtij dënimi, Kasemi përfitoi edhe nga një amnisti fund-vitin e kaluar dhe doli sërish i lirë, duke e arritur vrasjen e gjyqtares.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkoi hetime të hollësishme për këtë rast dhe u angazhua se nuk do të nënshkruajë asnjë falje dënimi për të dënuar, që kryejnë krime në familje.

Ai kërkoi nga gjykatat dhe nga policia zbatimin e rreptë të urdhërave të mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje.

9 gra shqiptare janë vrarë nga bashkëshortët e tyre vetëm gjatë këtij viti.

Këto vdekje, sipas veprimtarëve të të drejtave njerëzore, janë vetëm “maja e ajsbergut” e një dhune shumë-vjeçare të fshehur e të panjohur, që ushtrohet në familjet shqiptare ndaj grave, vajzave e fëmijëve; dhunë për të cilën burrat nuk ndëshkohen, ose marrin dënime të lehta, edhe pse ligjet janë shumë të rrepta në këtë drejtim.

This item is part of
XS
SM
MD
LG