Policia shqiptare arrestoi sot 9 zyrtarë të Drejtorisë së përgjithshme Metrologjisë, të gjithë të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Sipas një zëdhënëse të policisë, u arrestuan zëvendës-drejtori i përgjithshëm, drejtori për Tiranën dhe 7 inspektorë të drejtorisë së mbikëqyr saktësinë e mjeteve matëse në treg.
Sipas burimesh të besueshme, njësia speciale e antikrimit ekonomik ka ndjekur fshehtas për disa muaj veprimet e të arrestuarve, dhe ka dëgjuar telefonatat e tyre.
Të arrestuarit dyshohen se kanë marrë rryshfet duke shkelur rregullat e kontrollit mbi peshoret në dyqanet e floririt dhe matësit elektronikë në pikat e karburanteve. Ata kanë lëshuar procesverbale false për cilësinë e karburanteve dhe saktësinë e peshoreve elektronike në argjendari dhe pikat e furnizimit të automjeteve. Nga hetimet disa mujore doli se të arrestuarit nuk i bënin fare matjet e detyrueshme mbi bizneset e naftës dhe floririt, por raportonin inspektime false me të dhëna të fiksuara qysh më parë.
Krahas 9 të arrestuarve, gjykata ka në process verifikimi edhe 5 zyrtarë të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupin kryesor. Policia tha se gjatë operacionit të koduar “Kalibrimi” u sekuestruan dokumenta dhe kompjutera të të arrestuarve në drejtorinë e metrologjisë. Ndërkohë janë u morën në pyetje edhe shumë tregtarë karburantesh dhe floriri, nëse janë viktima të presioneve korruptive, apo kanë qenë subjekte aktive në korrupsion.
Kjo është hera e parë që sektori i antikrimit ekonomik kryen arrestime në sistemin piramidal të zyrtarëve shtetërorë nga drejtuesit kryesorë deri tek inspektorët e terrenit në përpjekje për të vërtetuar edhe një korrupsion që shkon lart në zyrat e shtetit.
Deri tani ishin bërë arrestime vetëm në nivele të ulta zyrtarësh pa ndonjë lidhje me shfat e tyre.