Lidhje

Studimet: Nivele shqetësuese të arsenikut në oriz


Rezultatet paraprake të një studimi të gjerë nga ana e qeverisë amerikane dhe hulumtime nga një organizatë jo-fitimprurëse tregojnë sasi mbi nivelet e lejuara të arsenikut në mostrat e orizit dhe produkteve të tij që shiten në tregjet amerikane. Një formë këtij kimikati, e njohur si arseniku inorganik, dihet që është kancerogjen për njeriun. Ndërsa studimi privat paralajmëron se njerëzit duhet të kufizojnë konsumin e produkteve të orizit, shkencëtarët qeveritarë thonë se nuk do të bëjnë asnjë rekomandim derisa studimi i tyre të përfundojë, diku nga viti i ardhshëm.


Dy qind lloje të ndryshme orizi dhe produkteve të tij të analizuara nga të dy grupe studimore jofitimprurëse, Consumer Reports dhe Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet ose FDA, përmbanin nivele të ndryshme të disa formave të arsenikut. Michael Taylor është zyrtar në Administratën për Ushqimin dhe Ilaçet.

"Arseniku është një substancë që askush nuk e dëshiron në ushqim, por ne jemi të bindur se në nivelet që vërejtëm nuk përbën asnjë shqetësim të menjëhershëm. Njerëzit duhet të vazhdojë të konsumojnë oriz".

Qeveria amerikane ka standarde për sasinë e arsenikut të lejuar në ujë për konsumin njerëzor, por jo për ushqim. Taylor thotë se FDA është kryesisht e shqetësuar për arsenikun që grumbullohet në trup nga ekspozimi gjatë gjithë jetës ndaj këtij kimikati.

"Ne nuk mendojmë, bazuar në informatat paraprake që kemi, se mund të rekomandojmë që konsumatorët të ndryshojnë praktikat e tyre të konsumit të orizit. Orizi është një komponent i rëndësishëm i dietës. Është ushqim i shëndetshëm dhe i ushqyeshëm. Do të donim të kemi më shumë informacione para se të marrim vendime në lidhje me rekomandime për ndryshime".

FDA thotë se do të përfundojë studimin e saj të plotë të 1 mijë e 200 mostrave të orizit deri në fund të vitit 2012 dhe më pas do të vendosë nëse do të lëshojë rekomandime shtesë. Organizata Consumer Reports është megjithatë më pak e rezervuar. Studimi i saj shqyrton vetëm 200 mostra orizi, por arrin në përfundimin se për të qenë të sigurtë, njerëzit - sidomos foshnjet - duhet të kufizojnë konsumin e orizit.

Ami Gadhia është me organizatën Consumer Reports:

"Nga pikëpamja e shëndetit publik, është shqetësim i madh në lidhje me atë që foshnjet konsumojnë. Shumë shpesh ushqimi i parë që u jepet foshnjeve pas qumshtit është orizi dhe të gjesh arsenik në këtë produkt është padyshim një problem. Ne gjithashtu analizuam nivelet në qumështin e orizit, dhe nganjëherë në qoftë se fëmijët kanë alergji ndaj qumështit të lopës atyre u jepet qumësht orizi".

Zyrtarët e të dy organizatave bien dakord se rezultatet në studimet e tyre të veçanta janë të ngjashme, por vetëm FDA mund të vendosë standarte kombëtare për industrinë.

Arseniku, një kancerogjen i njohur, është i pranishëm në dy forma: organike dhe inorganike. Arseniku organik ndodhet natyrshëm në tokë dhe ujë. Arseniku inorganike vjen kryesisht nga plehrat kimike dhe pesticidet e përdorura në bujqësi.

"Shumë prej këtyre pesticideve u ndaluan shumë vite më parë. Por për fat të keq, këto pesticide dhe arseniku në to mbeten në tokë, dhe kështu që vazhdon të shfaqet në oriz".

Gadhia thotë se nivelet më të larta të arsenikut u zbuluan në mostrat e orizit nga pjesa qendrore dhe jugore e Shteteve të Bashkuara. Nivelet e ulëta të arsenikut ishin në orizin nga Kalifornia, India dhe Tajlanda.

Tani për tani, Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet rekomandon që konsumatorët të vazhdojnë të hanë një dietë të ekuilibruar që përfshin një shumëllojshmëri të drithërave. Consumer Reports rekomandon jo vetëm që njerëzit të kufizojnë përdorimin e orizit, por edhe ta shpërlajnë atë mirë dhe ta gatuajnë me ujë të bollshëm.
XS
SM
MD
LG