Lidhje

Arti shihet si pjesë e trashëgimisë së njerëzimit


Arti shihet si pjesë e trashëgimisë së njerëzimit dhe duhet të ruhet e të mbrohet. Kjo mund të jetë një sfidë në qytete ku temperatura dhe lagështia luhaten gjatë vitit. Një qytet i tillë, ku gjenden një numër kryeveprash arti është Hjustoni, ku korrespondenti ynë Greg Flakus përgatiti një kronikë mbi gërshetimin e shkencës dhe mjeshtrisë në artin e konservimit.

Një artist i madh mund të na mrekullojë me imazhet, të cilat kur fillojnë të prishen, nuk janë asgjë më tepër se sa disa penelata mbi telajo. Por kur pikturat vjetërohen dhe fillojnë të plasariten, piktorët restaurues, si Mellissa Gardner u bëjnë atyre restaurime.

“Puna jonë nuk ka të bëjë me përmirësimin, duke e ndryshuar pikturën, ajo është thjesht një restaurim, për ta kthyer përsëri atë në gjendjen që e krijoi atë artisti”.

Drejtori i konservimit në Muzeun e Arteve të Bukura në Hjuston të Texasit, David Bomford, thotë se restaurimi nganjëherë përfshin heqjen e bojës së çngjyrosur që është përdorur gjatë restaurimeve të mëparshme.

"Një restaurues i ditëve tona duhet që me shumë kujdes të ndërhyjë me penel në vendet ku piktura ka pësuar çnjgjyrim”.

Teknologjia moderne mund të ndihmojë në identifikimin e veprës artistike, ku autenticiteti i saj është në pikëpyetje.

Në shtator, kjo pikturë që u gjet në një papafingo në Evropë, u paraqit në Amsterdam si vepër e porsazbuluar e piktorit holandez Vincent Van Gogh, ajo quhet Perëndim në Montmazhur.

Autentifikimi i saj u realizua duke e krahasuar me pikturën tjetër të Van Gogut, Shkëmbinjtë, e cila është pjesë e koleksionit të Muzeut të Arteve të Hjustonit.

David Bomford e ndihmoi muzeun e Van Gogh-ut në Holandë, për t’i krahasuar të dyja pikturat.

“Ne morën mostra të bojës, i studjuam materialet dhe holandezët bënë të njëjtën gjë me pikturën e tyre”.

Në këtë proces ndihmoi edhe profesori Don Johnson i Universitetit Rice, i cili përdori analiza laboratorike speciale për pikturat, duke krahasuar fijet e secilës prej pëlhurave.

Analizat treguan se kjo pikturë jo vetëm që ishte e ngjashme me atë në Evropë, por edhe se telajo ishte marrë nga i njëjti tip pëlhure.

Shkenca vazhdon t’i japë konservuesve mjete të reja për të studjuar veprat e artit, si dhe metoda më të mira për riparimin e tyre.
Kjo është një punë që nuk merr kurrë fund. Përveç koleksionit të muzeut prej 1 mijë e 700 pikturave, ka edhe skulptura, pajisje shtëpiake dhe korniza pikturash të gdhendura dhe të punuara me shumë kujdes, si kjo që po shihni, të cilat duhen mirëmbajtur vazhdimisht.

Punimet që nuk janë ekpozuar mbahen në dhoma me temperaturë të kontrolluar, të izoluara për t’u ruajtur edhe në rastin kur ndërpritet energjia elektrike, në rastet e stuhive psh., thotë Bomford.

Në se objektet e ndryshme duam t’i ruajmë për brezat e ardhshme, nevojitet ekspertiza e njerëzve që punojnë në laboratorët e konservimit të muzeume të mëdha, për t’i mbajtur ato gjallë”.

Gjithshka bëhet për të mirën e njerëzve që e duan dhe vlerësojnë artin kudo në botë.
XS
SM
MD
LG