Lidhje

Okifenoki, mjedis që të tremb dhe të huton, por edhe të argëton


Okifenoki, mjedis që të tremb dhe të huton, por edhe të argëton
Okifenoki, mjedis që të tremb dhe të huton, por edhe të argëton

Parku Okifenoki ose në shqip toka që dridhet, ndodhet në shtetin amerikan të Xhorxhias dhe është emërtuar si “mbreti i kënetave”.Këneta në Okifenoki është 65 kilometra e gjatë dhe ushqen nga 10 mijë në 20 mijë krokodilë.Ky rezervat natyror është gjithashtu streha e shumë kafshëve të egra dhe zogjve. Në serinë “Parqet Kombëtare të Amerikës” sot ju sjellim pamje nga parku Okifenoki në shtetin jugor Xhorxhia.

Një mjegull e veçantë ngrihet nga këto ujra të ndenjura dhe mbulon tokën përreth si një perde e rëndë që fsheh syrin kërkues të krokodilit.

Ky është moçal, mbreti i të gjithë moçaleve.Me një shtrirje pej 65 kilometrash gjatësi dhe 40 kilometrash gjerësi ai mbulon pjesën juglindore të Xhorxhias. Emri i tij është mes më romantikëve dhe më të ndaluarve në folklorin amerikan, Okifenoki, toka që dridhet.

Këtu bimësia është në shuarje.Ndërsa pemët dhe bimët disgregohen nën sipërfaqen e ujit, formohen gazet që hedhin baltën përpjetë. Me kalimin e kohës balta u ngjitet pemëve dhe formon me degët e tyre një lloj kore notuese. Vende vende kjo kore arrin deri në shtatë metra tashësi dhe mund të mbajë pemët e mëdha që gjenden në ujrat anë e mbanë këtij rajoni.

Që nga viti 1937, rreth katër të pestat e kënetës janë të mbrojtura si rezervati kombëtar i faunës, Okifenoki. Nga 10 mijë në 20 mijë krokodilë enden në këto ujra.Zakonisht ata shihen duke pushuar në breg apo mbi ndojë copë druri. Megjithëse kur ngacmohen krokodilët notojnë me një shpejtësi të madhe, pjesën më të madhe të kohës ata rrinë duke vrojtuar.

Ky rezervat është edhe streha e shqarthit, kastorit, si dhe e një numri të madh zogjsh, mes të cilëve lejleku dhe skifteri. Në Okifenoki edhe vetë uji është i veçantë dhe paksa i frikshëm.Përzjerja e bimësisë së dekompozuar dhe e baltës krijojnë një sipërfaqe të ngurtë që i përngjan pasqyrës.

Gjithçka këtu është intriguese për imagjinatën dhe sfiduese për syrin, një pejsazh që të tremb dhe të huton, të pëshpërit në vesh diçka të rëndësishme dhe të mban sekret diçka tjetër.Këneta Okifenoki mbetet një mister i përhershëm që e ka origjinën që në formimin e tokës.

XS
SM
MD
LG