Lidhje

Praktika e kursimit të ujit në Akuariumin e Xhorxhias


Praktika e kursimit të ujit në Akuariumin e Xhorxhias
Praktika e kursimit të ujit në Akuariumin e Xhorxhias

6 milion litra ujë në vit kursehen për vaditjen e bimëve dhe përdorime të tjera ku nuk nevojitet ujë i pishëm

Imagjinoni pesë kuti të mëdha plastike me rreth 40 milion litra ujë dhe me një jetë të pasur nënujore. Janë pikërisht këto karakteristika që e bëjnë Akuariumin e Xhorxhias tepër të veçantë dhe më të madhin në botë. Në serinë “Prirjet e Gjelbra”, kolegia Isabela Çoçoli do të na njohë me përpjekjet që bëhen atje për kursimin e ujit.

I projektuar si një anije gjigande që çan valët, Akuariumi i Xhorxhias zë një sipërfaqe prej rreth 55 mijë metrash katrore dhe ka 5 galeri, 60 ekspozita dhe një platformë vrojtimi me sipërfaqe prej 1200 metra katrorë.

Ky është një tunel mbi 30 metra e gjatë që mban mbi vete mbi 3 milion litra ujë deti. Në këto kushte kursimi i ujit është përparësia e dytë kryesore pas kujdesit për kafshët.

“Ne e qarkullojmë të gjithë ujin që përmban akuariumi. Ne e përdorim atë vazhdimisht për të mos patur humbje. Procesi është i kushtueshëm, por është njëkohësisht një burim i vlefshëm, prandaj ne riciklojmë sa më shumë ujë që të mundemi. Madje ne mbledhim ose ripërdorim ujë burimesh, ujë shiu, si dhe avuj të kondensuar”.

Konsumi i ujit për t’u kujdesur për kafshët dhe për të akomoduar turistët, këtu krahasohet me sasinë e ujit që përdoret nga shumë hotelet në qendër të Atlantës. Ndryshimi është se në këtë akuarium të gjitha ekspozitat janë sisteme të mbyllur në të cilat uji filtrohet e trajtohet në bazë të normativave dhe kthehet përsëri në ekspozitë.

“Ky është një shembull i mirë, pasi në dy vitet e fundit kemi patur thatësirë në Xhorxhia dhe niveli i ujrave në rezervuare filloi të binte, prandaj dhe ne filluam të merrnim masa menjëherë dhe eventualisht gjithë të tjerët për të pakësuar konsumin e ujit”.

Në këtë objekt riciklohet dhe repërdoret sa më shumë ujë që të jetë e mundur. Akuariumi shfrytëzon ujin e përftuar nga kondensimi i sistemit të ftohjes, duke kursyer mbi 6 milion litra ujë në vit për vaditjen e bimëve dhe përdorime të tjera ku nuk nevojitet ujë i pishëm.

Meqë kursimi i ujit është një preokupim i madh në gjithë botën, akuariumi po bën përpjekje për edukimin e vizitorëve në drejtim të kursimit të ujit.

Në këtë kuadër, akuariumi ka ndjekur një rrugë novatore për t’u zgjeruar horizontin nxënësve të shkollave dhe mësuesve. Vizitorët shikojnë, zbulojnë dhe mësojnë këtu se si krijohet uji i kripur dhe valët e zhurmëshme, madje edhe si funksionon sitemi masiv i filtrimit.

Qëllimi kryesor i nismës së konservimit të ujit në Akuariumin e Xhorxhias është të edukojë vizitorët se konservimi i ujit është diçka që ne të gjithë mund ta praktikojmë çdo ditë dhe kudo.

*Marrë nga "USA Green Stories"

XS
SM
MD
LG