Lidhje

Avandia, diabeti dhe problemet në zemër


Avandia, diabeti dhe problemet në zemër
Avandia, diabeti dhe problemet në zemër

Avandia, diabeti dhe problemet në zemër

Një studim i ri e lidh ilaçin diabetik Avandia me rrezikun për probleme në zemër, goditje në tru dhe vdekje mes të moshuarve mbi 65 vjeç. Studimi u kryesua nga doktor David Graham, shkencëtar pranë administratës amerikane të ushqimeve dhe barnave. Ai kërkon ndalimin e Avandias, ndërkohë që administrata e Barnave ka në plan ta shqyrtojë këtë çështje.

Rreth 23 milionë amerikanë vuajnë nga diabeti. Për trajtimin e kësaj sëmundjej ekzistojnë shumë barna. Por Avandia është ilaçi më i përdorur për të mbajtur të ulët nivelin e sheqerit në gjak. Lajmi vjen vetëm pak kohë para se komisioni shkencor i administratës së ushqimeve dhe barnave të mblidhet për të vendosur fatin e këtij ilaçe mjaft të përdorur nga pacientët me diabet.

Të dhënat kanë treguar se sëmundjet e zemrës përbëjnë një shkak kryesor të vdekjeve mes personave me diabet të tipit 2. Studiuesit thonë se rreziku nga Avandia nuk mund të kalojë pa u përfillur dhe këshillojnë pacientët me diabet që të konsiderojnë marrjen e barnave të tjera, mundësisht më të sigurta sesa Avandia

Shkencëtarë të tjerë thonë se për të arritur në një përfundim të saktë nevojiten studime të tjera, dhe këshillojnë që pacientët me Diabet të konsultohen me mjekun lidhur me të mirat dhe të këqiat e Avandias.


Efektet e programit të drekave falas

Për më shumë se 60 vjet, shumë shkolla amerikane kanë zbatuar programe ushqimore të subvencionuara duke u siguruar nxënësve drekë pa pagesë. Më parë këta nxënës duhet të kualifikohen për të marrë pjesë në program. Programi Kombëtar i Drekës në Shkolla vazhdon edhe sot dhe siguron dreka me çmime të ulta për më shumë se 100 mijë shkolla në mbarë Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit, doktor Peter Hinriç pranë universitetit Georgetown, kreu një studim mbi efektet afatgjatë të këtij programi, duke përdorur të dhëna nga një anketë e Institutit Kombëtar të Shëndetit. Në studim vihet re një shtim i dukshëm i mundësive për arsimim dhe suksese në mësime si rrjedhojë e programeve të drekave falas. Në studim thuhet se drekat e subvencionuara duket se i nxisin fëmijët të shkojnë në shkollë.

Por nga studimi doli se ky program nuk duket se ka ndonjë efekt të madh në shëndetin dhe dietën afatgjatë të nxënësve. Aktualisht, qeveria federale shpenzon mbi 8 miliardë dollarë për subvencionimin e ushqimit për mëngjese, dreka dhe pasdite për fëmijë në të gjithë vendin.

Shqetësime rreth mos vaksinimit të fëmijëve

Mes mjekëve ekziston shqetësim në rritje rreth prindërve që nuk vaksinojnë fëmijët e tyre. Ekspertët thonë se shmangja e vaksinave bazë është ide e keqe.

Të dhënat e mbledhur nga një studim mbi imunizimin në shkallë vendi, tregojnë se fëmijët e vegjël të cilët nuk janë vaksinuar mund të jenë më të prekshëm nga sëmundjet. Në studim u morrën në shqyrtim rreth nëntë mijë fëmijë të moshave nga 19 muaj deri në 3 vjeç.

Mes vaksinave bazë që rekomandohen nga mjekët pediatër janë ato kundër difterisë, tetanozit, kollës së mirë, rubeolës, fruthit. meningitis, poliomelitit dhe hepatitit B.

Nga viti 2003 deri më 2008, numri i prindërve që vonuan ose nuk pranuan vaksinimin e fëmijëve të tyre u rrit nga 22 përqind në 39 përqind. Kjo erdhi si pasojë e arsyeve të ndryshme, si p.sh. kur fëmija ishte i sëmurë; kur prindërit mendonin se vaksinat ishin të shumta; dhe dyshimet rreth efektshmërisë dhe shqetësimeve mbi pasojat anësore, përfshi autizmin.

Studimi arrin në përfundimin se punonjësit e shëndetit publik duhet të sigurojë më shumë materiale edukativë rreth vaksinave dhe të kontaktojnë rregullish prindërit që ngurrojnë t'i vaksinojnë fëmijët e tyre.

XS
SM
MD
LG