Lidhje

27 të vrarë nga dy shpërthime në Damask të Sirisë


Siria njofton se 2 shpërthime në kryeqytetin Damask sot në mëngjers kanë shkaktuar të paktën 27 të vrarë. Media shtetrore njofton se gati 100 njerëz të tjerë u plagosën nga shpërthimet, që ndodhën brënda disa minutash afër Ministrisë së Sigurimit dhe një qendre zbulimi. Asnjeri nuk ka marrë ende përgjegjësinë, por zyrtarët sirianë fajësojnë ata që i quajnë "terroristë" të cilët mund të kenë lidhje me protestat një vjeçare kundër Presidentit, Bashar al-Assad.

Pamje të filmuara nga agjencia Associated Press tregojnë dëme serioze në ndërtesat qeveritare. Sipas agjencisë shtetrore siriane të lajmeve, SANA, informacionet e para tregojnë se dy shpërthimet u shkaktuan nga makina bombë.

Një zyrtar sirian tha se kishte njoftime për një shpërthim të tretë, me objektiv një autobuz ushtarak në kampin e refushatëve Yarmouk në Damask, por nuk pati hollësi të tjera.

Sulmet e sotme janë vazhdë e një kryengritjeje një vjeçare, e cila filloi në përgjithësi me protesta paqësore, por shumë shpejt u shndërua në një luftë civile me sulme madhore të forcave qeveritare kundër qyteteve të mbajtura nga kryengritësit.

Shpërthimet e sotme ishin më të fundit në një valë shpërthimesh vetëvrasëse në Siri, nga të cilat që prej dhjetorit kanë humbur jetën dhjetra njerëz.

Shpërthimi i fundit i madh vetëvrasës në Siri ndodhi më 10 shkurt, kur godinat qeveritare në qytetin verior të Aleppos ishin në qendër të dy shpërthimeve, nga të cilat humbën jetën 28 veta.

Damasku, një bazë tjetër e presidentit al-Assad, ka përjetuar 3 shpërthime të tjera që nga dhjetori.

Kombet e Bashkuara përllogarisin se mbi 8 mijë njerëz kanë humbur jetën që prej fillimit të kryengritjet kundër presidentit al-Assad marsin e kaluar.

XS
SM
MD
LG