Lidhje

Hetime për kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushi

Prokuroria e Përgjithshme nisi sot hetimet mbi të dhënat e dyshuara kriminale ndaj kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.

Zyra e re e prokurorisë për dekriminalizimin i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të verifikojë nga vetëdeklarimi i dekriminalizimit të kryetarit të bashkisë së Krujës, Artur Bushi, disa të dhëna, të cilat kërkojnë detajim më të thelluar në të shkuarën e tij.

Verifikimin fillestar do ta bëjë KQZ-ja dhe pas kësaj prokuroria do të vijojë hetimet.

KQZ publikoi dy javë më parë vetëdeklarimet e ministrave, deputetëve, bashkiakëve dhe këshilltarëve.

Mes tyre ka edhe të hetuar e dënuar për krime të ndryshme.

Mes tyre, bashkiaku socialist i Krujës, Artur Bushi, pranoi se u ndaluar dy herë në Itali.

Ai u ndalua së pari në vitin 1996 dhe herën e dytë në vitin 2010 u arrestua si i dyshuar për “trafik lëndësh narkotike”, por u lirua me vendim gjyqësor.

Prokurorët nisën verifikimet edhe për kryetarin e bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.

Ai u akuzua nga opozita se ka ndërruar emrin për të fshehur të kaluarën e tij dhe përfshirje në veprimtari kriminale.

Roshi pohoi se është ndaluar nga policia në Gjermani dhe në Itali, por se nuk është subjekt i asnjë krimi që parashikon ligji i dekriminalizimit.

Ai tërhoqi dorëheqjen, që shpalli disa ditë më parë, pasi siguroi deklarata nga policia gjermane dhe italiane, se nuk ka marrë dënime prej tyre.

This item is part of
XS
SM
MD
LG