Lidhje

Ambasadori Arvizu komenton për çështjen e qarkut të Fierit


Në Shqipëri, ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu, u takua sot Fier me përfaqësues të socialistëve dhe demokratëve në këtë qark, drejtimi i të cilit, që pas zgjedhjeve të vitit 2009 pretendohet nga të dyja palët. Socialistët e kanë vënë zgjidhjen e çështjes së qarkut të Fierit si kusht për miratimin e disa ligjeve të rëndësishme që Shqipëria duhet të realizojë në kuadër të integrimit në BE. Socialistët pretendojnë se gjykatat e vendit i kanë dhënë të drejtë atyre për të patur drejtimin e qarkut, ndërsa shumica nga ana e saj është shprehur se proceset gjyqësore nuk kanë përfunduar ende. Sipas ambasadorit Arvizu, zgjidhja e çështjes së qarkut të Fierit do të vazhdojë me diskutime të mëtejshme në Tiranë. Shqipëria pret nesër vlerësimin e BE për reformat. Zyrtarët evropianë kanë thënë se vendi duhet të plotësojë “një masë kritike” të rekomandimeve. Sipas ambasadorit amerikan kjo “nënkupton jo vetëm miratimin e ligjeve konkrete si reforma elektorale, rregullat parlamentare, heqja e imuniteteve, apo ligji për gjykatën e lartë, por edhe vullnetin politik që gjykatat të veprojnë në mënyrë të pavarur, të lira nga ndikimi politik, në mënyrë që vendimet që jepen të jenë transparente dhe objektive dhe të reflektojnë me vërtetësi vullnetin e popullit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara i shtohen zërave të atyre në Europë që “shpresojnë seriozisht që të ketë përparim të vazhdueshëm në Shqipëri, për forcimin e shtetit ligjor dhe për forcimin e institucioneve të pavarura”.
XS
SM
MD
LG