Lidhje

Ashli ​​Babbitt, 35-vjeçarja që u vra në Uashington


U.S. Capitol Police hold protesters at gun-point near the House Chamber inside the U.S. Capitol on Wednesday, Jan. 6, 2021, in Washington. (AP Photo/Andrew Harnik)

Gruaja e qëlluar për vdekje nga policia gjatë trazirave të së mërkurës në Kapitolin e SHBA u identifikua nga policia si Ashli Babbitt, veterane e Forcave Ajrore dhe aktiviteti i saj në rrjetet sociale tregon se ajo kishte përqafuar teoritë konspirative të ekstremit të djathtë.

Babbitt, 35 vjeç, ishte mbështetëse e zjarrtë e Presidentit Trump, tha bashkëshorti i saj për mediat.

Postimet e saj në Twitter mbështesnin pohimet e rreme të zotit Trump se ai u mund pasi demokratët manipuluan me mënyra të sofistikuara zgjedhjet e 3 nëntorit.

Javët e fundit, llogaria në Twitter @Ashli_Babbitt, e cila përfshin fotografi të saj, ndau shumë postime ku theksohej entuziazmi i saj për të marrë pjesë në tubimin e zotit Trump më 6 janar.

Një ditë më parë, ajo shkruante: "Asgjë nuk do të na ndalë ... ata mund të provojnë dhe të provojnë përsëri, por stuhia është këtu dhe po zbret mbi Uashington brenda më pak se 24 orësh ... nga errësirë në dritë!"

Një video e të shtënave me armë zjarri e postuar në mediat sociale nga një gazetar i pavarur tregon një moment kaotik midis protestuesve që mbështesnin zotin Trump dhe policisë në një korridor të Kapitolit. Dëgjohet një e shtënë e vetme para se videoja të shfaqë një grua, pamja e së cilës përputhet me atë të fotove të zonjës Babbitt, e veshur me simbole të zotit Trump. Ajo duket e shtrirë në tokë, është e mbytur në gjak dhe ka një pamje të tronditur. Njerëzit përreth saj bërtasin dhe përpiqen të kujdesen për plagët që ka marrë.

Policia e Kapitolit konfirmoi në një deklaratë të enjten se një grua e identifikuar si Ashli Babbitt ishte qëlluar nga një oficer ndërsa protestuesit po futeshin me forcë në sallën e madhe të Dhomës së Përfaqësuesve. Ata thanë se ajo vdiq më vonë në spital nga plagët.

Veprimtaria e saj në rrjetet sociale dhe të dhënat e biznesit tregojnë se ajo kishte një biznes për pastrim pishinash në San Diego të Kalifornisë.

Babbitt kishte shërbyer në Forcën Ajrore tdhe kishte qenë në detyrë aktive nga viti 2004 në 2008, tha Forca Ajrore në një deklaratë.

Ajo kishte postuar një fotografi të saj në Twitter në një tubim me anije në mbështetje të Presidentit Trump në shtator, ku dukej duke buzëqeshur me një person tjetër, që të dy të veshur me bluza ku shiheshin parulla dhe imazhe të QAnon-it, një teori konspirative e përhapur, e ngjashme me një kult dhe që është përqafuar nga disa mbështetës të zotit Trump.

Adhuruesit e QAnon-it besojnë pretendimet e një ose më shumë personave të paidentifikuar që postojnë mesazhe në internet nën simbolin 'Q'. Sipas tyre, zoti Trump po lufton fshehurazi kundër një klike personash që shfrytëzojnë fëmijët për seks dhe që përfshin elitat e fuqishme amerikane.

Robin Babbitt, e cila e identifikoi veten si vjehrra e Ashli Babbitt shkroi në Twitter të enjten: "Nuk mund t’i ndaloj dot lotët. Ajo ishte një njeri kaq i mrekullueshëm dhe një ushtarake serioze. E fortë, e zgjuar, e mirë."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG