Lidhje

Aung San Suu Kyi vazhdon vizitën në SHBA


Ajo mbajti një fjalim para studentëve, të cilëve u foli për demokracinë dhe përvojën e saj shumëvjeçare në mbrojtjen e saj.

Aktivistja birmaneze për demokracinë, Aung San Suu Kyi vazhdon vizitën e saj 17-ditëshe në Shtetet e Bashkuara. Dje ajo ishte në New York, ku u prit nga një numër i madh birmanezo-amerikanësh. Ajo mbajti një fjalim para studentëve, të cilëve u foli për demokracinë dhe përvojën e saj shumëvjeçare në mbrojtjen e saj.

Birmanezo-amerikanët pritën në radhë të gjata për më tepër se 6 orë, për të parë heroinën e tyre, gruan që e thërrasin Mommy Suu.

Ata i këndojnë mbrojtëses së demokracisë, duke i uruar asaj “Paç shëndet”. Pasi qëndroi në arrest shtëpiak për rreth 19 vjet, e dënuar nga qeveria ushtarake, Aung San Suu Kyi, u lirua nga burgu 2 vjet më parë. Birmania është një vend i pasur me diversitet etnik, një faktor që ka qenë edhe burim konfliktesh të dhunshme. Por në Shtetet e Bashkuara, grupe të ndryshme etnike i dhanë asaj dhurata dhe ajo u ofroi atyre këshilla.

"Mos u përqëndroni tek konfliktet, por tek pajtimi”, - thotë ajo.

Pajtimi është një koncept i ndryshëm në një vend, ku transparenca është diçka e huaj dhe kompromisi është diçka e re. Këto skena u xhiruan fshehurazi për dokumentarin e titulluar “They call it Myanmar”. Producenti i filmit Robert Lieberman qëndroi për 4 vjet në Birmani dhe ai e ka intervistuar Aung San Suu Kyi-në:

“Tani ajo është ndoshta personi i vetëm që mund ta mbajë vendin të bashkuar”.

Në një tjetër vend të qytezës studentore, Aung San Suu Kyi ia përshtati fjalimin e saj studentëve bimanezë. Ajo u tha atyre t’i vlerësojnë liritë që gëzojnë.

“Shpresoj që ju të gjithë e kuptoni se ç’do të thotë të luftosh për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Birmani. Është tamam siç mund ta keni dëgjuar. Mund t’ju duket jo tamam reale, pa u ndeshur direkt me këtë gjendje. Atëhere e kuptoni mirë se si është”.

Sapna Chhatpar Considine ka protestuar në emër të Birmanisë për vite me radhë dhe erdhi këtu posaçërisht për të parë Aung San Suu Kyinë. Considine zbuloi pasionin e saj për të drejtat e njeriut gjatë viteve studentore:

“Mendoj se ky lloj mesazhi jehon nëpër mjediset universitare në të gjithë botën dhe ajo e di këtë. Ajo e di fuqinë e grupeve studentore. E ka parë atë në Birmani. E ka parë këtë në të gjithë botën."

Aung San Suu Kyi do të jetë 70 vjeçe kur në Birmani të mbahen zgjedhjet e ardhshme. Ajo nuk mund të zgjidhet presidente, për shkak të kufizimeve që ka kushtetuta e Birmanisë. Ajo dëshiron që të ardhmen e Birmanisë ta drejtojë rinia. Ky grup i popullsisë ka lirinë për t’i pyetur ligjvënësit e tyre dhe për të kërkuar ndryshim, diçka për të cilën ajo është ndëshkuar për disa herë në vendin e saj.



XS
SM
MD
LG