Lidhje

Partia Popullore fituese e zgjedhjeve në Austri


Qeveria e kancelarit Sebastian Kurz u rrëzua në muajin maj. Ai bashkëqeverisi me djathtistët e Partisë së Lirisë, deri pas publikimit të një videoje që tregonte afërsinë e udhëheqësit të partnerit të koalicionit të tij me oligarkët rusë.

Duket se skandali nuk ndikoi tek votuesit e zotit Kurz, partia e të cilit mori 6 përqind më shumë krahasuar me vitin 2017.

“Nuk më ndodh shpesh, por sot jam pa fjalë. Nuk di çfarë të them. Prisnim rezultat të mirë në këtë ditë. Prisnim që të kishim rezultat të mirë, por jo këtë rezultat. Dua të falenderoj votuesit për besimin. Dua të falenderoj popullin në Austri që na qëndruan pas”, tha Sebastian Kurz, ish Kancelar i Austrisë.

Majtistët Social Demokratë morën 21,7 ose 5 përqind më pak sesa në vitin 2017.

Ambientalistët e Partisë së Gjelbër kanë rritje. Në zgjedhjet e kaluara nuk morën asnjë vend, por kësaj radhe morën 14 përqind të votave.

Partia e Lirisë e cila shkaktoi skandalin që çoi në rrëzim të qverisë mori 16 përqind të votave, ose 10 përqind më pak krahasuar me rezultatet e dy viteve më parë.

Besohet se Sebastian Kurtz do të ketë partner të ri në qeverinë e re. 33 vjeçari ka thënë se nuk e përjashton asnjë subjekt dhe se do të bisedojë me të gjitha partitë në parlament.

Pritet që deri në fund të javës, Presidenti Alexander Van der Bellen të autorizojë zotin Kurz të formojë koalicionin qeverisës.

Koalicioni qeveritar i zotit Kurz u rrëzua në muajin maj pasi një video e publikuar tregonte zv/kancelarin e tij dhe udhëheqësin e Partisë së Lirisë, Heinz-Christian Strache gjatë një darke në Ibiza me një grua e cila pozonte si mbesa e një oligarku rus. Në video, zoti Strache shihet tek ofron për të ndërmjetësuar kontrata qeveritare. Zoti Kurz doli relativisht i padëmtuar nga skandali.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG