Lidhje

Autizmi dhe hokej


Në pistat e akullit kudo në Amerikë, është e zakonshme të shohësh prindër me fëmijët e tyre për praktikë për sportin e hokejit. Shumë mendojnë se jo vetëm që i ndihmon fëmijët me aktivitet fizik, por u jep atyre edhe mësime për jetën, si për shembull, vlerën e bashkëpunimit. Materiali në vazhdim na njeh me një skuadër hokeji në periferi të Uashingtonit, e përbërë nga një grup i veçantë lojtarësh me një histori frymëzuese.

Në mëngjesin e një të shtune të kohëve të fundit, në një lagje të qetë në Rokvill të shtetit Merilend, familja Blaisdell u ngrit para agimit. David Blaisdell po përgatitej për të dërguar djalin e tij në hokej.
Christopher është 14 vjeç dhe luan në një skuadër me emrin Montgomery Cheetahs.

Në dhomën e ndërrimit në sheshin e patinazhit Cabin John, Christopher-i dhe shokët e tij po bëhen gati për hokej. Ato nuk duken ndryshe nga skuadrat e tjera të hokejt, pot në fakt, janë shumë më ndryshe.

“Unë quhem Amir Khan dhe luaj për Montgomery Cheetahs.”

“Unë jam Maurice. Luaj për Montgomery Cheetahs.”

Të gjithë lojtarët në skuadër kanë probleme të ndryshme me zhvillimin, duke përfshirë edhe autizmin. Skuadra u themelua në 2006 me vetëm 10 lojtarë dhe dy trajnerë, por përbëhet nga më shumë se 80 lojtarë dhe një staf më të madh për stërvitje. Trajneri kryesor David Lucia ndihmoi me themelimin e saj.

“Skuadra e hokejit Montgomery Cheetahs është një program terapik për fëmijët, për t’i ndihmuar nga ana shoqërore dhe e të sjellurit brenda dhe jashtë arenës. Janë aftësi që mund të ushtrohen në jetën e përditshme.”

David Blaisdell thotë se shumica e suksesit të Christopher-it në akull mund t'i atribuohet trajnerëve.

“Të gjithë trajnerët dhe vullnetarët janë shumë të duruar me Christopher-in.”

Trajnerët janë vullnetarë. Disa, duke përfshirë zotin Lucia, janë kontribuesit kryesorë të ekipit. Weiwei Zhang është mamaja e Christopher-it.

“Nganjëherë, të duket sikur trajnerët e trajtojnë fëminë tënd më mirë se vetë ti.”

Në dhomën e ndërrimit, flitet vetëm për hokej.

“Përpiqem të pasoj, të patinoj më shpejt, dhe të bëj gol.”

“Kur më vjen topi i hokejt, përpiqem të shënoj.”

“Mbase kur patinoj mbrapsht, kur bllokoj dikë. Të them të drejtën, ajo është pak e frikshme se mund të të qëllojnë.”

Weimin Zhou është babai i Jaojao.


“Fëmijët me autizëm nuk shoqërohen mirë me fëmijët e tjerë. Së pari, ata nuk pranohen lehtësisht nga të tjerët. Ose mund të trajtohen ndryshe. Asnjë nga këto nuk është mirë për ta, për të zhvilluar aftësitë sociale. Por në këtë skuadër, ata ndihen sikur janë njëlloj, dhe kjo është skuadra e tyre.”

Chris Nagle është mamaja e Donovan-it.
“Aspekti social ka qenë një ndihmë e madhe për të, sepse ai me të vërtetë gëzohet kur është me shokët e tij, ndërsa më parë ai nuk kishte të njëjtin durim dhe lodhej shpejt.”

Aspekti social ndihmon edhe prindërit. Ata shpesh e gjejnë veten nën presion të madh sepse fëmijët e tyre kanë nevoja të veçanta. Mbledhja javore e skuadrës u jep atyre një mundësi për t’u çlodhur.
Marie Jacob është mamaja e Henry-t, një lojtar i Cheetah-ve.

“Me fëmijët me nevoja të veçanta, nuk ka shumë mundësi që të shoqërohesh me prindër në një situatë të ngjashme.”

Shumë nga prindërit shërbejnë në ekip si vullnetarë ose këshillues. Babai i Christopher-it, David, është një nga ata.

“Sa më shumë të zhvillohet ai, ne prindërit bëhemi më të sigurt, dhe i jemi shumë mirënjohës skuadrës. Unë dua të jap kontributin tim për t’i shërbyer skuadrës.”

Shoqata Amerikane e Hokejit me Persona me e Nevojave të Veçanta thotë se ka 50 ekipe të tillë si Montogomery Cheetahs në Amerikë, dhe numri i pjesëmarrësve tejkalon 1500. Shpejtësi. Durim. Bashkëpunim. Konkurrencë. Hokej është një lojë e bukur por e vështirë.

“E shohim se sa shumë përpiqen. Ata kanë pak mundësi dhe kur e kanë, shkëlqejnë, dhe na mallëngjejnë të gjithëve.”
XS
SM
MD
LG