Lidhje

Familja, komuniteti dhe vendosmëria ndihmojnë një të ri me autizëm


Të rriturit me aftësi të kufizuara, që nga autizmi e deri tek verbëria ose paraliza e pjesshme, përballen me sfida të veçanta në tregun e punës

70 milionë vetë, 1 për qind e popullsisë vuajnë nga një formë autizmi, një çrregullim neurologjik që prek aftësinë e tyre për të ndërvepruar me njerëz të tjerë dhe të kujdesen për veten e tyre. Megjithëse në vendet në zhvillim ka trajtim në dispozicion, ekspertët thonë se perspektiva për ata me që vuajnë nga forma e rënduar e autizmit, nuk është e mirë. Ata me forma të buta të sëmundjes mund të kenë më shumë sukses në integrimin në shoqëri. Një 26 vjeçar është një nga këto histori suksesi.

Kevin Gibson është i lumtur në apartamentin e tij.

"Është një ndjesi e mrekullueshme të jesh në gjendje të jetosh i pavarur”.

Është një arritje e rrallë për dikë me autizëm, një çrregullim që shkakton vështirësi në komunikim dhe në situata shoqërore.

Por çdo mëngjes Kevin bëhet gati dhe shkon në firmën ligjore ku punon.

“Unë katalogoj dhe vë sipas radhës dosjet dhe dokumentat kur më kthehen”.

Partneri i firmës Martin Geissler thotë se nga 130 aplikantë, firma zgjodhi Kevin.

“Ne po kërkonim dikë që ta kishte punën të qëndrueshme për disa vjet dhe jo dikë që do ta mbante punën vetëm për gjashtë muaj”.

Ai thotë se Kevin është personi i duhur.

“Është një nga punonjësit tanë më të përpiktë. Është krenar në punën e tij. Prandaj kur vjen këtu çdo ditë, ai nuk lodhet nga puna që bën. Ai flet me të gjithë, sidomos për futbollin. E do shumë futbollin”.

Të rriturit me aftësi të kufizuara, që nga autizmi si Kevin e deri tek verbëria ose paraliza e pjesshme, përballen me sfida të veçanta në tregun e punës.

Trajnerë profesionalë si Lauren Goldschmidt i ndihmojnë të gjejnë punë të përshtatshme.

“Ne zakonisht fillojmë me vlerësimin e situatës, që është një mundësi për të provuar disa punë për të gjetur se cila është puna më e përshtatshme për atë person”.

Zonja Goldschmidt e firmës ServiceSource e ndihmoi Kevin të gjente këtë punë.

“Me Kevin punuam shumë prova me intervistat. Kështuqë u vumë në role për t’u përgatitur për t’iu përgjigjur pyetjeve, për të ndihmuar me komunikimin verbal dhe joverbal në një intervistë”.

Ajo ende e viziton Kevinin në punë një herë në muaj.

“Ajo më thotë kur më duhet të punoj për të përmirësuar diçka”.

Mamaja e Kevinit, Mary Lou Nuget thotë se i biri u diagnostikua me autizëm kur ishte 18 muajsh.

“Nuk mund të komunikonte me fjali ose fjalë. Mund t’i thoje ‘do pak lëng frutash, Kevin?’ dhe në vend që të thoshte po, ai thoshte ‘lëng, Kevin’. Për ne ky ishte sinjal se diçka nuk ishte në rregull me aftësitë e tij komunikuese”.

I ati i Kevinit, Fred Gibson thotë se programe të ndryshme dhe terapi e ndihmuan të birin të përmirësojë aftësitë e tij.

“Fakti që ka autizëm, nuk do të thotë që ai nuk është i zgjuar. Ai është shumë i zgjuar, kureshtar dhe i interesuar për botën rreth tij”.

Kevin ka të njëjtat pasione si i ati.

“Gjithmonë më kanë pëlqyer aeroplanët dhe spektaklet e aviacionit dhe kështu edhe atij i pëlqen t’i shohë”.

Planet e ardhshme të Kevin kanë të bëjnë me aeroplanë.

“Mendoj që kur të dal në pension të shkoj në Teksas dhe të hap një dyqan për të apasionuarit pas aeroplanëve”.

Falë diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit, shërbime që nuk janë ende në dispozicion në shumë pjesë të botës, ëndrra e Kevinit është e realizueshme.

XS
SM
MD
LG