Lidhje

Liçencë për emigrantin pa dokumente


Gjykata e Lartë e Kalifornisë vendosi javën e kaluar që një emigrant pa dokumente i quajtur Sergio Garcia të marrë liçencën si avokat. Ky vendim vjen mes një debati kombëtar mbi emigracionin e paligjshëm si dhe shton shpresat për shumë banorë të tjerë pa dokumente që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë.

Vendimi, i bërë i mundur nga një akt i fundit legjislativ i ligjvënësve të Kalifornisë, lejon që Sergio Garcia të mund të ushtrojë profesionin e avokatit, pavarësisht statusit të tij si emigrant pa dokumente. Profesori i së drejtës Niels Frenzen thotë se vendimi i gjykatës së Lartë të Kalifornisë është vetëm për këtë rast.

"Vendimi nuk përfshin liçenca të tjera profesionale dhe as përfitime të tjera sociale."

Gjithashtu vendimi nuk e lejon zotin Garcia të punojë për ndonjë firmë ligjore, por zoti Frenzen thotë se ai mund të punojë për klientët e tij si një avokat i pavarur.

Sergio Garcia, 36-vjeçar, mbaroi studimet pas-universitare për drejtësi në vitin 2009. Ai i tha shërbimit spanjisht të Zërit të Amerikës përmes Skype-it se rasti i tij ka ndikim më të gjerë.

"Unë jam i vetëdijshëm se rasti im hap dyer për shumë të rinj, jo vetëm për emigrantët, jo vetëm për njerëzit pa dokumente, por për shumë të rinj të cilët janë të zhgënjyer me sistemin e arsimit në këtë vend, të cilin për fat të keq qeveria me sa duket e ka braktisur."

Për 21-vjeçarin Luis Antezana, vendimi i Gjykatës është lajm i mirë. Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara me prindërit e tij në moshën 7 vjeçare dhe vetëm gjatë shkollës së mesme kuptoi që ishte pa dokumente.

"Më në fund, diçka e mirë. Po ndodhin gjëra të mira."

Luisit dhe të tjerëve si ai nuk u lejohet të marrin kredi për arsimin të financuara nga qeveria federale. Megjithatë, ai fitoi një bursë private për studentët pa dokumente në Universitetin e Shtetit të Kalifornisë në Los Anxhelos. Ai është aktiv në organizatën studentore dhe shpreson të bëhet avokat për të ndihmuar në lehtësimin e problemeve me të cilat përballen personat pa dokumente.

"Shumë pabarazi ndodhin kundrejt shumë njerëzve dhe në një moment mendova: ‘Duhet të bëj diçka për të ndryshuar gjërat për veten time, për njerëzit që janë në pozicionin tim dhe për fëmijët e ardhshëm, që ata të mos kalojnë vështirësitë që po kaloj unë.’"

Profesor Frenzen thotë se vendimi i Gjykatës së Lartë të Kalifornisë nuk ka vendosur një precedent.

"Por është sigurisht një vendim bindës, një vendim që gjykata të larta të shteteve të tjera të mund ta shohin si udhëzim."

Florida dhe Nju Jork janë gjithashtu duke shqyrtuar çështje të personave pa dokumente të diplomuar të cilët shpresojnë të marrin liçenca si avokatë, ndërsa vendi përballet me shumë pyetje rreth miliona banorëve pa dokumente.
XS
SM
MD
LG