Lidhje

Azem Hajdari në varrezat e Dëshmorëve


Ceremoni në Tiranë me rastin e 15-vjetorit të vrasjes së udhëheqësit të Lëvizjes studentore të vitit ‘90

Në Tiranë sot u zhvillua një ceremoni e vecantë për varrimin e udhëheqësit të lëvizjes studentore të vitit ’90 Azem Hajdari pranë varrezave të Dëshmorëve të Atdheut. Mijëra qytetarë, të afërm, miq e shokë e përfaqësues të lartë të politikës nderuan edhe një herë një prej figurave kryesore të përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri



Prej sot trupi i Azem Hajdarit, është krahas qindra të tjerëve, shqiptarë të nderuar të cilët e lidhën emrin e tyre me lirinë dhe devocionin për atdheun e që prehen në Varrezat e dëshmorëve në Tiranë. Për më shumë se dy orë, një lumë njerëzish morën pjesë në një ceremoni në pallatin e Kongreseve ku u vendos trupi i tij. Qytetarë, miq e shokë të Azem Hajdarit, njerëz që kishin ndarë me të eksperienca të shumta në fillim vitet ’90, përfaqësues diplomatik e fetar, si dhe politikanë të të gjithë krahëve, u ndalën edhe një herë sot, para trupit të tij.

Ish presidenti Bamir Topi, një prej ish figurave drejtuese të partisë demokratike, vlerësoi kurajon e zotit Hajdari: “Njeri shumë i guximshëm e dinjitoz, që dinte të bënte edhe trimin edhe diplomatin. E kujtoj me shumë mall dhe respekt. Besoj se në jetë të jetëve do të kujtohet si një njeri i papërlyer".

Ndërsa kryetari parlamentit Ilir Meta, tha se një ditë si kjo oërbën një detyrim për të gjthë që endrra e të rinjve të vitit ‘90 të plotësohet: “Është nje emër që kujton jo vetëm ndryshimin epokal, të nisur në dhjetor të vitit ’90, por na kujton që këto sakrifica duhet ti respektojmë dhe ti çmojmë, dhe ëndrrën e tij dhe të gjeneratës së tij ta përmbushim sa më shpejt”

Në ceremoni krahas ish kryeministrit Sali Berisha, mori pjesë edhe presidenti Bujar Nishani, ndërsa më pas trupi, i vendosur mbi një shtrat topi u përcoll drejt varrezave të dëshmorëve. Kryetari i Bashkisë se Tiranes Lulzim Basha tha se “nuk ka as edhe një njeri të vetëm që të mos i detyrohet, në mos për tjetër për hapin e parë që ai hodhi në planetin e demokracisë. Ndërsa vazhdon të lartësohet në pidestalin e nderit të kombit, figura e Azem Hajdarit apelon më fort se kurrë, për bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare. Vertet ishte themelues dhe drejtues i lartë i Partisë Demokratike, por trashëgimia dhe testamenti i tij politik u përkasin gjithë shqiptarëve, pa dallim partish, krahinash dhe fesh”.

Azem Hajdari, u vra 15 vjet më parë, pranë selisë së partisë demokratike. Ai ishte një figurë politike popullore dhe komplekse. Pavarësisht një procesi të gjatë gjyqësor janë të shumtë ata që mendojnë se e vërteta e plotë e asaj vrasje nuk është zbardhur ende.
XS
SM
MD
LG