Koalicioni “Drejtësi për të gjithë”, një bashkim i organizatave të shoqërisë civile, paraqiti sot platformën trevjeçare të vëzhgimit dhe ndihmesës për realizimin me sukses të reformës në sistemin e drejtësisë.
Përfaqësuesit e këtyre organizatave të shoqërisë civile pohuan se kanë përgatitur propozime institucioneve të sistemit të drejtësisë për një zbatim sa më të shpejtë dhe të saktë të reformës në sistemin gjyqësor.
Koalicioni ka marrë përsipër të vëzhgojë veprimtarinë e institucioneve shtetërore gjatë zbatimit të ligjeve të reformës gjyqësore.
Kjo do të sjellë edhe një angazhim më të madh të shoqërisë civile për të ndjekur nga afër dhe hap pas hapi ecurinë e reformës.
Reforma në drejtësi sapo ka nisur me përzgjedhjen e zyrtarëve për në institucionet kryesore të sistemit gjyqësor.
Veprimtarët pohuan se shoqëria civile e ka të nevojshme për t'i qëndruar pranë këtij procesi për t'i dhënë fund vuajtjeve të qytetarëve nëpër gjykata.
Korrupsioni në administratën shtetërore dhe në sistemin gjyqësor vazhdon të mbetet një nga pengesat kryesore të jetesës në Shqipëri, ku shumë qytetarë detyrohen të japin rryshfete për të marrë shërbime të zakonshme në pothuaj çdo sektor.