Lidhje

Presidenti Obama dënon dhunën në Baltimore


Presidenti Barack Obama sot bëri thirrje që personat përgjegjës për dhunën e së hënës në mbrëmje në qytetin e Baltimorës “të trajtohen si shkelës së ligjit”.

Protestat shpërthyen në qytet pas funeralit të 25-vjeçarit Freddie Gray, një djalë afrikano-amerikan, i cili vdiq ndërsa mbahej i ndaluar nga policia në fillim të muajit.

Megjithatë, Presidenti Obama tha se ajo që ndodhi të hënën në Baltimorë ishte një devijim i protestave të ditëve të fundit, që u përqëndruan tek shqetësimet plotësisht të ligjshme lidhur me vdekjen e Freddie Grayt.

Presidenti i bëri këto komente pasi guvernatori i Marylandit, Larry Hogan u zotua se në Baltimorë nuk ka për t’u përsëritur ajo që ndodhi të hënën në mbrëmje.

Në Baltimore fillon pastrimi pas dhunës

Sot, një ditë pas dhunës që shpërtheu në Baltimore të shtetit Maryland, zyrtarët e qytetit po përpiqen të ulin tensionet. Dhuna filloi pas funeralit të një afrikano-amerikani 25-vjeçar, i cili pësoi një dëmtim të shtyllës kurrizore dhe vdiq, ndërsa ishte në arrest policor. Më pas, qyteti u përfshi nga një valë plaçkitjesh dhe zjarresh. Autoritetet kanë dislokuar trupat e Gardës Kombëtare.

Në disa lagje të qytetit, ndërtesat vazhdonin sot të nxirrnin tym dhe vullnetarët filluan pastrimin e rrugëve nga mbeturinat. Një farmaci ishte mes objekteve të djegura dhe të plaçkitura. Dhjetra policë me veshje speciale bënin roje ndërkohë që zjarrfikësit vazhdonin punën.

Kudo në qytet janë dislokuar trupat e Gardës Kombëtare, ndërsa autoritetet përpiqen të ulin tensionet, një ditë pas shpërthimit të protestave që pasuan funeralin e Freddie Gray-t, afrikano-amerikanit 25 vjeçar. Sipas njoftimeve, 15 policë u plagosën dhe gjashtë prej tyre ndodhen në spital. Dhjetra vetë janë arrestuar.

Shkollat publike janë sot të mbyllura.

Kryetarja e bashkisë së qytetit, Stephanie Rawlings-Blake, e cila i quajti protestat “një prej ditëve më të zeza që ka parë ndonjëherë qyteti”, ka deklarur ndalim qarkullimin në orët e natës.

"Unë e kuptoj ç'është zemërimi. Kjo që po shohim nhuk është zemërim, është shkatërrimi i një komuniteti," tha zonja Blake. Ajo i quajti protestuesit "vandalë".

Dhuna filloi kur qindra nxënës të shkollës së mesme marshuan drejt një qendre tregtare pas mbarimit të shkollës dhe u shpërndanë më pas nëpër lagjet e qytetit, duke ia bërë të pamundur policisë të reagonte. Ata qëllonin policinë me gurë, tulla, shishe dhe objekte të tjera.

Mes objekteve të cilave iu vu zjarri ishte një qendër e menaxhuar nga kisha për të moshuarit, që ishte në ndërtim e sipër.

Disa protestues të dhunshëm plaçkitën dyqanet e pijeve dhe disa qendra tregtare. Ata thyen xhamat e makinave jashtë një hoteli të madh dhe prenë dy herë zorrat e zjarrfikësve që po përpiqeshin të shuanin zjarrin në farmacinë e grabitur.

"Dje, kur isha duke parë lajmet, mu duk sikur çdo gjë kishte dalë jashtë kontrollit dhe sot desha të shoh me sytë e mi nëse ishte e vërtetë. Prandaj erdha këtu. Ka patur shumë shkatërrime dhe do të duhet që të mobilizohen shumë njerëz për të pastruar qytetin," thotë Rudo Minson, banor i Baltimorës.

Në qytet sonte fillon ndalimqarkullimi, që do të vazhdojë një javë.

"Jam shumë e tronditur. Më dhemb zemra për popullin e Baltimorës, për këtë komunitet, si dhe për të gjitha komunitetet e tjera. Jam e trishtuar për të rinjtë që janë përfshirë në këtë dhunë. E kuptoj se ata janë të zemëruar, por duhet të kujtojmë Martin Luther Kingut, i cili e bëri çdo gjë në mënyrë paqësore,"thotë banorja Cynthia Green.

Freddie Gray u arrestua më 12 prill, kur po përpiqej t'i shpëtonte policisë. Ai u transportua në stacionin e policisë me furgon, dhe kishte pësuar dëmtime të shtyllës kurrizore që çuan në vdekjen e tij një javë më vonë. Një avokat i familjes Gray thotë se shtylla e tij kurrizore ishte 80 për qind e këputur në qafë ndërsa 25-vjeçari ndodhej në paraburgim.

Gjashtë zyrtarë janë pezulluar, dhe Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton incidentin për shkelje të mundshme të të drejtave civile.

Të hënën vonë familja e Freddie Gray-t bëri thirrje për ndaljen e protestave të dhunshme. Gloria Darden, nëna e të ndjerit, u kërkoi protestuesve që të ktheheshin në shtëpi. Ajo tha se kjo nuk ishte rruga për të gjetur drejtësi për djalin e saj. “Mos e shkatërroni qytetin”, tha zonja Darden.

XS
SM
MD
LG