Lidhje

Banka Botërore njoftoi rënie ekonomike në Ballkan


Shkaqet janë kriza greke dhe pasiguritë në eurozonë

Banka Botërore publikoi sot një studim, sipas të cilit, parashikohet një ngadalësim i konsiderueshëm i rritjes për ekonomitë e Europës Juglindore në vitin 2012. Studimi thekson se gjashtë vende në Evropën Juglindore, mes të cilave edhe Shqipëria, po përballen me një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes ekonomike si pasojë e pasigurive që po shtohen në eurozonë. Raporti i Zhvillimit të Europës Juglindore nënvizon se ekonomia pritet të ulet nga 2.2 përqind në 2011 deri në 1.1 përqind në 2012; mes tyre Shqipëria parashikohet ne 1,6 për qind.

Banka Botërore thotë se në këto kushte, disa shtete duhet të forcojnë sistemin fiskal për të përmirësuar treguesit negativë të borxhit publik, i cili për Shqipërinë është në kufijtë e 60 për qindshit, sepse vetëm kështu mund të krijohen baza për një përmirësim afatgjatë.

Përfaqësues të Bankës Botërore në Shqipëri pohuan se raporti i propozon Tiranës që të reduktojë borxhin publik dhe të kontrollojë deficitin nën nivelin 3 për qind. Ky objektiv mund të arrihet, sipas tyre, duke ulur shpenzimet, duke rritur të ardhurat nga tatimet. Po ashtu, këtyre vendeve u nevojiten edhe reforma strukturore për të përmirësuar prodhimin dhe aftësitë konkurruese dhe për të reformuar tregjet e punës.

Autorët e raportit në Bankën Botërore mendojnë se ngadalësimi ekonomik i gjashtë vendet e Evropës Juglindore - Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia - po vjen për shkak të kushteve të dobëta në eurozonë. Madje shifrat mund të keqësohen më tej prej mënyrës se si do të zgjidhet kriza ekonomike e Greqisë. Po bëhen përpjekje që të gjendet një zgjidhje normale e krizës greke dhe që ajo të mos përhapet më gjerë në rajon, thekson raporti i Bankës Botërore, dhe kjo tregon se sa e rëndësishme është që vendet e tjera përreth të forcojnë rezerevat fiskale dhe financiare, të rritin investimet dhe punësimin.
XS
SM
MD
LG