Lidhje

Banka Botërore nxjerr Raportin “Të bësh biznes”


Shqipëria

Banka Botërore publikoi sot raportin kushtuar Europës dhe Azisë Qendrore “Të bësh biznes 2018”, ku për Shqipërinë theksohet se po vijon reformat për përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Në një renditje të përgjithshme prej 190 vendesh, Shqipëria renditet në vendin e 65, krahasuar me vendin 58 të vitit të kaluar.

Ndërsa ka marrë 68.7 pikë nga 100 maksimale në treguesin e distancës, duke lëvizur me një pikë nga një vit më parë, kur ishte 67.7.

“Kjo do të thotë se gjatë vitit të shkuar Shqipëria ka përmirësuar në terma absolut rregullat e saj të biznesit sipas treguesve të raportit Të bësh biznes, pra vendi po ngushton diferencën me kufirin rregullator global. Kjo është një lëvizje pozitive” – thotë Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim.

Sipas raportit, Shqipëria ka kryer përmirësime të rëndësishme gjatë 2016-2017 në kuadrin ligjor sa i takon falimentit dhe lehtësirave në kreditim.

Tirana po ashtu u vlerësua për faktin se garantoi me ligj që grave dhe burrave u jepet e njëjta pagesë për të njëjtën punë, duke ulur numrin e orëve të punës të lejuara gjatë një jave.

Kosova

Raporti i Bankës Botërore e radhiti Kosovën në mesin e 10 ekonomive të mbarë botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes.

Kosova radhitet në vendin 40-të nga 190 vende, sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60-të ku ishte radhitur një vit më parë.

“Kosova ka përmirësuar në vazhdimësi rregulloret e saj për biznes, siç edhe është konstatuar nga treguesit e raportit dhe është duke ngushtuar hendekun me vendet me efektshëmri më të mirë”, citohet të ketë thënë Marco Mantovanelli, menaxher i grupit të Bankës Botërore për Kosovën. “Ky është një lajm i mirëseardhur për ekonominë e Kosovës. Megjithatë, nëse këto reforma nuk zbatohen si duhet dhe në mënyrë të qëndrueshme në praktikë, do të jetë e vështirë për Kosovën që të ndikojë në rritjen e prodhimtarisë dhe tërheqjen e më shumë investimeve”.

Çdo vit, raporti i "Të bërit biznes" në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për sipërmarrësit, duke u përqendruar në dhjetë fusha: regjistrimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve me pjesëmarrje të vogël, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Përmirësimet në Kosovë janë mbështetur nga zbatimi i reformave rregullative të biznesit në fushat që kanë të bëjnë me ngritjen e biznesit, marrjes së kredisë etj.

Nëntë ekonomitë e tjera që kanë shënuar përmirësimet më të mëdha sipas raportit janë; Brunei Darussalam, Tajlanda, Malavi, India, Uzbekistani, Zambia, Nigeria, Xhibuti dhe El Salvadori. Rajonet me përqindjen më të madhe të ekonomive reformuese në Të Bërit Biznes 2018 janë Evropa dhe Azia Qendrore, Azia Jugore dhe Afrika nën-Sahariane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG