Lidhje

Banka Qendrore e Shqipërisë do ta mbajë të pandryshuar interesin bazë


Banka Qendrore e Shqipërisë do ta mbajë të pandryshuar interesin bazë
Banka Qendrore e Shqipërisë do ta mbajë të pandryshuar interesin bazë

Banka Qendrore e Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit bankar, ndërsa këshilli mbikëqyrës i saj vlerësoi se situata makro-ekonomike e vendit është e qëndrueshme dhe presionet inflacioniste janë të kontrolluara deri nën 3 për qind. Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, tha se parashikimet për tremujorin tjetër janë optimiste, pavarësisht presioneve inflacioniste nga jashtë dhe pavarësisht kujdesit të rritur të bankave nivelit të dytë në kredidhënëie.

Zoti Fullani tha se bankat kanë likuiditete të lira në para në maksimumin e vet për të dhënë kredi.

“Gjykimi i Bankës së Shqipërisë është që tregu shqiptar ka likuiditet të mjaftueshëm për të kredituar ekonominë, duke i dhënë nxitje kapjes së potencialit të saj ekonomik. Ka hapësirë të gjerë. Likuiditeti bazë ekziston, oferta ekziston”, tha zoti Fullani.

Guvernatori Fullani tha se Banka Qendrore ka ndërmarrë një seri masash për të mbështetur bankat e nivelit të dytë në dhënien e më shumë kredive dhe në reduktimin e kredive të këqija, por në uljen e ritmit të kredive ka ndikuar ulja e kërkesës për kredi.

“Kreditimi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri, ashtu si në rang botëror, ka probleme sepse bankat me një sërë dokumentacioni bazë shtesë janë shumë më të kujdesshme se sa më parë. Pra, ka një bllokim të kreditimit të biznesit të vogël dhe të mesëm. Këtu kërkohet shumë për të bërë. Ndërsa kreditori i madh është i bllokuar për shkak të mosadministrimit të kreditimit të tij përpara krizës. Bankat janë të gatshme t’ia japin kredinë, por ky nuk është i gatshëm për të marrë”, tha zoti Fullani.

Guvernatori Fullani këshilloi biznesin privat që të kërkojnë me projekte realiste më shumë kredi nga sistemi bankar, ndërsa u bëri thirrje bankave të nivelit të dytë që të japin më shumë kredi për të shtuar optimizmin e ekonomisë së vendit, sepse aktualisht dhe në parashikime afatmesme oferta është disa herë më e madhe se kërkesa.

“Ekziston një situatë ku kërkohet një nxitje e kërkesës; me projekte adekuate dhe për thithjen e investitorëve strategjikë. Por kjo do të varet shumë nga optimizmi, realizmi, dhe njëkohësisht nga iniciativa e bazuar mirë në projekte reale të sektorit privat. Në një kohë kur Banka e Shqipërisë ka siguruar kushtet e përshtatshme makro-financiare për një stabilitet të kursit të këmbimit, stabilitet të inflacionit dhe dhënies pa kufi të likuiditetit në treg”, tha zoti Fullani.

Ekonomia shqiptare kapërceu me pasoja minimale ndikimet e krizës ekonomike botërore, dhe madje ishte e vetmja në rajon që shënoi rritje ekonomike në vazhdimësi. Megjithatë, studimet e Bankës Qendrore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar nxorrën se tani kompanitë private dhe entet shtetërore duhet të kapërcejnë ngurrimin dhe frikën e krizës botërore dhe të investojnë me guxim, duke reduktuar deficitin buxhetor dhe borxhin e brendshëm pikërisht përmes rritjes së fitimeve dhe mbledhjes më të mirë të taksave.

XS
SM
MD
LG