Lidhje

Banka Qendrore Evropiane qetëson investitorët


Banka Qendrore Evropiane qetëson investitorët
Banka Qendrore Evropiane qetëson investitorët

Premtimi i Bankës Qendrore Evropiane për të mbështetur bonot e thesarit në Itali dhe në Spanjë, ndihmoi të qetësoheshin nervat e investitorëve në Evropë megjithë humbjet e mëdha që pësuan sot tregjet në Azi, pas uljes së klasifikimit të kreditit amerikan nga firma Standard and Poor.

Edhe pse tregjet kryesore të Evropës në Londër, Paris dhe Frankfurt pësuan rënie modeste, shkëmbimet në bursat e Romës dhe të Madridit u sollën fitime investitorëve. Kostot e huamarrjes si për Italinë edhe për Spanjën ranë pas deklaratës së Bankës Qendrore Evropiane se ajo do të blejë bono të këtyre dy vendeve, për t'i ndihmuar ato të shmangin një katastrofë financiare nëse nuk janë në gjendje të shlyejnë këstet e borxheve.

Në përpjekje për të evituar panikun e përhapur kudo në tregjet financiare, ministrat e financave dhe bankat qendrore të Grupit të 20-s bënë gjithashtu sot një deklaratë të përbashkët duke thënë se janë gati të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur stabilitetin financiar dhe rritjen ekonomike.

Tani për tani deklaratat duket se e kanë frenuar valën e shitjeve nëpër bursa, valë që ka pushtuar tregjet globale prej dy javësh.

Në rastin e Italisë dhe Spanjës, premtimet për mbështetje kanë ulur ndjeshëm kostot e huamarrjes për të dy vendet duke i ndihmuar tregjet e tyre të aksioneve.

Megjithatë, analisti i firmës KBL Richelieu, Benoit de Broissia, pranoi se nervozizmi në tregjet financiare vazhdon.

"Ka ende shumë pasiguri si në financat publike ashtu edhe në aftësitë e qeverive për të vënë rregull në këtë aspekt,” tha zoti de Broissia.

Ndërkohë ekonomistë të tjerë thonë se ende nuk dihet se deri në ç’pikë mund të bien tregjet dhe bëjnë thirrje për një sinjal të fortë nga qeveritë dhe bankat qendrore se ato do të ndërhyjnë për të rivendosur gjendjen normale.

XS
SM
MD
LG