Lidhje

Qeveria amerikane ende pjesërisht e mbyllur


Segmente nga barriera kufitare mes SHBA dhe Meksikës

Administrata e presidentit Donald Trump po përpiqet ta paraqesë situatën në kufirin jugor me Meksikën si një "krizë humanitare dhe të sigurisë kombëtare" për të fituar mbështetje për fondet e sigurisë kufitare në një luftë me ligjvënësit që ka çuar në një mbyllje 18-ditore të qeverisë.

Zoti Trump do ta paraqesë këtë çështje në një fjalim televiziv drejtuar vendit të martën, përpara se të shkojë të enjten për të parë nga afër situatën në kufi.

Përpara fjalimit, zëvendëspresidenti Mike Pence informoi të hënën gazetarët, duke theksuar se ka një "krizë të mirëfilltë" në kufi dhe fajësoi demokratët se "nuk pranojnë të negociojnë" për të rihapur qeverinë.

Zoti Pence mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretaren e Sigurisë, Kirsten Nielsen, e cila tha se financimi dhe ligjet e status quos "nuk janë në gjendje të trajtojnë krizën që po shohim në kufi".

Demokratët dhe disa avokatë të emigracionit thonë se administrata i bën një prezantim të pasaktë kësaj çështjeje dhe e akuzojnë atë për fabrikimin e një krize për qëllime politike të ndërtimit të murit kufitar, që zoti Trump e kishte përfshirë në temat e fushatës si kandidat presidencial në 2016.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer lëshuan një deklaratë të hënën vonë duke u bërë thirrje rrjeteve televizive për t'u dhënë demokratëve një mundësi për t'iu përgjigjur fjalimit të presidentit Trump, duke thënë se bazuar në përvojën e së kaluarës, mund të parashikohet se fjalimi "do të jetë plot keqdashje dhe keqinformim".

Ata gjithashtu thanë se presidenti duhet të pranojë se plani i tij për murin nuk ka mbështetje të mjaftueshme në Kongres.

"Demokratët dhe një numër në rritje i republikanëve në Kongres i kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur presidentit dhe kryetarit të shumicës në Senat, Mitch McConnell për t'i dhënë fund mbylljes së qeverisë ndërsa Kongresi debaton për muret e shtrenjta dhe joefektive të Presidentit," thanë Nanci Pelosi dhe Chuck Schumer.

Brenda dy javëve të fundit, udhëheqja demokrate vizitoi Shtëpinë e Bardhë dy herë për të negociuar një marrëveshje me presidentin, por pa sukses. Ata thanë se negociatat e fundjavës për sigurinë e kufirit gjithashtu dështuan.

Emergjencë kombëtare

Shtëpia e Bardhë po shqyrton ligjshmërinë e shpalljes së një emergjence kombëtare në kufi për të filluar ndërtimin e murit pa miratimin e Kongresit. Në konferencën e tij për shtyp, Nënpresidenti Pence tha se Presidenti Trump vazhdon ta peshojë këtë ide, por ende nuk ka marrë një vendim.

Nuk ka shenja për heqjen e masës së mbylljes që ka ndërprerë një të katërtën e operacioneve të qeverisë amerikane që nga 22 dhjetori dhe ka detyruar rreth 800,000 punonjës federalë të qëndrojnë në shtëpi ose të punojnë pa pagesë.

I pyetur se në çfarë pike dhimbja e punonjësve federalë e tejkalon dëshirën e presidentit për një barrierë kufitare, zoti Pence tha se administrata e kupton barrën me të cilën përballen punonjësit qeveritarë, por shpreson që çështja të zgjidhet.

Duke iu përgjigjur kërkesës së demokratëve, Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit dërgoi një përllogaritje të rishikuar për propozimet për financimin e murit në Komisionin e Senatit për Akordimin e Fondeve.

Së bashku me 5.6 miliardë dollarë për murin, administrata ka kërkuar edhe 800 milionë dollarë për "nevojat urgjente humanitare" për t'u kujdesur për migrantët në kufi.

Rimbursimet e taksave do të paguhen

Russell Vought, drejtor në detyrë i zyrës për manaxhimin e buxhetit ose OMB, tha se mbyllja e qeverisë nuk do të pengojë rimbursimet e taksave për amerikanët do të përpunohen dhe nuk do të konsiderohen si aktivitete të përjashtuara gjatë mbylljes.

"Do ta realizojmë këtë me sa më pak pasoja, në përputhje me ligjin," tha ai.

Demokratët planifikojnë të fillojnë miratimin e legjislacionit që synon financimin e agjencive që janë mbyllur, në veçanti Departamentin i Thesarit dhe Shërbimin e Ardhurave të Brendshme, agjencia që mbledh dhe përllogarit taksat e individëve dhe korporatave.

Zonja Pelosi e quajti atë "një veprim të domosdoshëm për të garantuar që familjet do të merrnin rimbursimet e taksave në kohë".

Presidenti Trump ka thënë se ai kundërshton një qasje që nuk e zgjidh kërkesën e tij për një mur në kufi.

Beton apo çelik?

Demokratët e opozitës kanë refuzuar kërkesën e zotit Trump për financimin e murit, por ofrojnë 1,3 miliardë dollarë në shpenzimet e reja për sigurinë e kufirit.

Semantika mund të ofrojë hapësirë për negociata mbi bllokimin, pasi demokratët duken më të hapur për miratimin e fondeve për "gardh rrethues" sesa për një "mur" dhe presidenti Trump thotë tani se do të pajtohet me një barrierë gardhi të ndërtuar me shufra çeliku në vend të një muri prej betoni. Më 21 dhjetor ai diskutoi një fotografi të një "barriere prej çeliku" të cilësuar "plotësisht efektive, dhe në të njëjtën kohë të bukur!"

"Nëse në fakt gjendet një kompromis, do të jetë mbi një ndryshim në disa pjesë të retorikës", thotë Steven Billet, drejtor i programit të çështjeve legjislative në Universitetin George Washington. Ai shtoi se “sapo fillojmë të flasim për sigurinë e kufirit si një alternativë, ne mund të jemi në gjendje të gjejmë një mënyrë për të siguruar fonde që të kënaqë edhe presidentin, edhe demokratët e Dhomës".

Duke folur me gazetarët të premten, presidenti Trump tha: "Unë mendoj se ndoshta po flasim për një gardh çeliku, sepse me të vërtetë mendoj se pala tjetër ndihet më mirë për të dhe unë e kuptoj argumentin e tyre".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG