Lidhje

Basha: PD me dy variante për BKH


Interviste me Lulzim Bashen
please wait

No media source currently available

0:00 0:18:07 0:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet i gatshëm për negociata me pozitën mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias. Zoti Basha i bëri komentet në një intervistë të drejtpërdrejtë në studiot e Zërit të Amerikës ku foli për propozimet e PD mbi ngritjen dhe funksionimin e BKG-së, si dhe takimet me zyrtarët amerikanë në Uashington.

Interviste me Lulzim Bashen
please wait

No media source currently available

0:00 0:18:07 0:00

Zëri i Amerikës: Fillojmë menjëherë bisedën me takimet që keni zhvilluar me zyrtarë të administratës, me zonjën Nulland, Ndihmës Sekretare e Shtetit dhe me zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë për Sigurinë Kombëtare. Si gjithmonë, mesazhi është që Shqipëria është një aleate e rëndësishme dhe mbështetja vazhdon për procesin demokratik. Por më konkretisht: lidhur me rolin e opozitës në Shqipëri, çfarë mesazhi përcillni nga zyrtarët amerikanë?

Lulzim Basha: Vizita këtu kryhet edhe në një moment historik siç është 25- vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ky është momenti kur ne kujtojmë edhe një herë mbështetjen e jashtëzakonshme që kemi marrë nga ky vend në 25 vite të Shqipërisë së hapur, të Shqipërisë që ndërton demokracinë dhe shtetin ligjor. Proceset e reformave që kanë sjellë hapjen dhe demokratizimin e Shqipërisë, shtetin ligjor, janë procese që kanë punuar për shqiptarët në radhë të parë. Futja në NATO, përtej të qenit një arritje strategjike, është një arritje që ka funksionuar për shqiptarët dhe për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Po kështu, heqja e vizave apo marrja e statusit kandidat, pavarësimi i Kosovës janë arritje kombëtare. Por të gjitha këto arritje, të cilat janë pa dyshim rezultat i reformave të brendshme dhe i mbështetjes së SHBA-së, duhet të jenë të parikthyeshme, një term, që është përdorur gjatë antarësimit në NATO. Kjo nuk po ndodh. Po shohim në rajon dhe në veçanti në Shqipëri një zhbërje të standarteve demokratike, prishje të rregullave të lojës, kërcënim të fondamenteve të demokracisë dhe të shtetit ligjor...

Zëri i Amerikës: Kishte shqetësim nga zyrtarë amerikanë lidhur me këto?

Lulzim Basha: Ky është një dialog i përhershëm me përfaqësuesit e SHBA-ve dhe përfaqësuesit e saj në Tiranë, me ambasadorin Lu, me zonjën Nulland, e cila viziton rregullisht rajonin dhe Shqipërinë, natyrisht me sekretarin Kerry gjatë vizitës së tij në Tiranë, dhe në Uashington gjatë këtyre ditëve me kongresmenë, me antarë të senatit, me përfaqësues të lartë të administratës amerikane, duke përfshirë Ndihmës Sekretaren Nulland dhe me parfaqësuesit e këshillit të lartë të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë. Çfarë mund të bëjë opozita shqiptare? Së pari, rolin e saj: të jetë gardiane e rregullave të demokracisë e të shtetit ligjor, të të drejtave të garantuara me Kushtetutë, jo të opozitës, por të qytetarëve shqiptarë, duke kërkuar transparencë, duke bërë transparencë, duke bërë detyrën, që i ngarkon ligjvënësi opozitës, sepse opozita ka përgjegjësitë e saj në demokraci. Së dyti: një përgjegjësi tjetër e rëndësishme e opozitës është të japë alternativa, të japë zgjidhje, të artikulojë zgjidhje politike aty ku ka krizë, aty ku ka rënie apo zhbërje të standarteve. Edhe kjo është një detyrë shumë e rëndësishme e opozitës, të cilën si kryetar i opozitës e kam marrë shumë seriozisht prej ditës së parë dhe në dialogun tim me SHBA pjesa e alternativës që Partia Demokratike ofron për të dalë nga kriza politike dhe ekonomike ka qenë dhe mbetet një pjesë shumë e rëndësishme, për t'u treguar partnerëve tanë amerikanë se çfarë vizioni ka Partia Demokratike dhe opozita shqiptare për nxjerrjen e vendit nga kriza politike, për ruajtjen e standarteve të arritura dhe që bënë të mundur antarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe për të sigurar të ardhmen e Shqipërisë në 25 vitet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ne kontaktuam Departamentin e Shtetit lidhur me këtë takim. Lidhur me rolin e opozitës, aq sa thoni ju se ju takon të paraqisni një alternativë, zyra e zonjës Nulland në komentin e saj tha se ka theksuar edhe nevojën që ju të jeni të gatshëm dhe të hapur për kompromis dhe për të bashkëpunuar me qeverinë për të gjetur zgjidhje për problemet më kryesore të vendit si dekriminalizimi, reforma në drejtësi. Pra, nuk është puna thjesht për të paraqitur plane që ecin paralelisht dhe që në fund nuk do të kenë asnjë pikë të përbashkët, çfarë do të bëni ju për të gjetur një zgjidhje në fund të fundit?

Lulzim Basha: Detyra jonë si opozitë t'u japim shqiptarëve një alternativë tjetër qeverisëse. Por kur vjen puna tek çështje të tilla të shtetndërtimit si reforma në drejtësi, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit apo reforma zgjedhore, ajo që lypset është që palët politike të bashkëpunojnë për të implementuar standardet dhe normat europiane dhe euro-atlantike, jo standarde sui generis, jo standarde Rama as standarte Basha. Jo standarte alla Tirana, por standarde europiane, euroatlantike, të Uashingtonit dhe të Brukselit. Në takimin me zonjën Nulland këtë kam theksuar: faktet tregojnë që Partia Demokratike nën drejtimin tim, jo vetëm nuk ka refuzuar, por ka shtrirë dorën e bashkëpunimit, a thua se jemi ne tashmë në qeveri dhe pala tjetër në opozitë. Kjo është refuzuar deri në ditën e sotme. Unë kam këaqësinë të ndaj nga kjo studio me teleshikuesit tuaj dhe me gjithë bashkatdhetarët tanë në Shqipëri dhe kudo, se nën presionin e aleatëve tanë SHBA, sot duket se maxhoranca ka reflektuar dhe të paktën në letër sot ka rënë dakord për të nisur dialogun politik pa kushte, por bazuar mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias, për reformën në drejtësi. Në qoftë se marrëveshja e sotme respektohet, dhe për fat të keq, nuk do të ishte çudi po të shkelej si marrëveshja e 8 janarit po ashtu e negociuar nga ambasadori Lu, por shpresojmë që jo, pra, nëse kjo marrëveshje respektohet, atëherë kjo do t'i hapë rrugë kompromisit dhe konsensusit politik për një hap shumë të rëndësishëm si reforma në drejtësi. Ky është një hap i rëndësishëm jo vetëm për politikën, jo për Partinë Demokratike, jo për Partinë Socialiste, por për qytetarët shqiptarë. Ajo çfarë ne insistojmë: konsensusi politik nuk ka të bëjë që Partia Demokratike të ketë më shumë kontroll apo Partia Socialiste të ketë më pak kontroll tek drejtësia; ka të bëjë me faktin se një drejtësi e kontrolluar politikisht nuk do t'i shërbejë qytetarëve shqptarë, nuk do të japë drejtësi, do të vazhdojë të mbetet e korruptuar. Prandaj lufta jonë nuk është për interesa politike, nuk është për interesa të Partisë Demokratike apo të Lulzim Bashës, por është për t'u dhënë shqiptarëve një drejtësi të pakorruptuar, të pakapur politikisht, e cila u shërben qytetarëve dhe jo politikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju shpresoni se do të uleni me palën tjetër, me palën në qeveri dhe të diskutoni paketën që solli Komisioni i Venecias pa kushte. Ndërkohë ju keni paraqitur një numër ankesash që vënë në pikëpyetje disa elemente thelbësore të kësaj pakete...

Lulzim Basha: Jo vetëm e vënë në pikëpyetje, por e hedhin në erë projektin e kapjes politike të...

Zëri i Amerikës: Kjo paketë ka ardhur nga Venecia, në një kohë që ju keni thënë ne do ta përqafojmë çfarëdo opinioni që sjell Venecia.

Lulzim Basha: Rekomandimet e Venecias janë baza mbi të cilën ne jemi gati të punojmë. Paketa e nisur, e cila u kritikua në të dyja rastet nga Venecia tregoi edhe një herë se ajo që ne u parashtruam qytetarëve shqiptarë, Brukselit dhe Uashingtonit, nuk ishte një fabulë në kokën e opozitës, por ishte realitet. Qeveria bëhej gati të çimentonte kapjen politike të drejtësisë. Prandaj ne jemi shumë të kënaqur dhe mirënjohës ndaj Komisionit të Venecias dhe ndaj partnerëve tanë që përmes këtij procesi kanë çmontuar përpjekjen për çimentimin e kapjes politike të drejtësisë, sepse për fat të keq drejtësia është e kapur politikisht, dhe i hapim rrugë kështu një reforme me një drejtësi për t’i shërbyer qytetarëve, por edhe një drejtësie të aftë për t’u përballur dhe për të luftuar korrupsionin në nivele të larta.

Zëri i Amerikës: Pra, lidhur me Paketën që ka ardhur nga Venecia, jo me variantin që ka dërguar shumica e majtë, ju i qëndroni asaj paketa, nuk keni ankesa? Nuk do të shkoni me kushte në takim?

Lulzim Basha: Kushti ynë i vetëm ka qenë moskapja politike e sistemit të drejtësisë. Venecia është shprehur qartë dhe i qëndrojmë asaj që Venecia ka thënë: duhet konsensus, duhet kompromis politik, duhet dialog politik në mënyrë që kapja politike të shmanget përmes zgjidhjeve të cilat pamundësojnë që një forcë e vetme politike, qoftë edhe duke disponuar 3/5 siç i disponon ky koalicion, të vendosë se kush dhe si do ta menaxhojë drejtësinë për 15 apo 20 vitet e ardhshme. Kjo, ka thënë Venecia, është e papranueshme ndaj ne jemi gati të ulemi. Shpresoj që edhe angazhimi i tyre formal sot të qëndrojë edhe nesër. Të ulemi, të dialogojmë politikisht, të marrim përgjegjësitë para shqiptarëve, duke mos u fshehur pas ekspertëve, por të marrim përgjegjësitë para shqiptarëve dhe t’u japim shqiptarëve një drejtësi të pakorruptuar, por të aftë për të luftuar korrupsionin në nivele të larta.

Zëri i Amerikës: Dy forca politike ulen për të diskutuar një paketë që do sjellë ndryshime kushtetuese me qëllimin që Gjyqësorin ta largojë nga presioni politik. Forca politike që futen me interesa politike. Si do arrini ta ruani këtë reformë gjyqësore nga presioni politik kur ju vetë po futeni në dialog me interesa të caktuara?

Lulzim Basha: Jua them fare thjeshtë; fare thjeshtë nuk është, do të mundohem ta bëj sa më të kuptueshme për shikuesit tuaj. Interesi ynë nuk është të kemi një kompromis bipartizan për drejtësinë, por një kompromis jopartizan për drejtësinë. Sepse një drejtësi e politizuar, e polarizuar më tej nuk do të jetë në gjendje t’i shërbejë mirë qytetarit. Ndaj në çdo hap ne kemi propozuar formula evropiane, euro-atlantike të cilat do të garantojnë që përfaqësuesit e zgjedhur nga politika në këto institucione të jenë njerëz që reflektojnë konsensusin e gjerë shoqëror dhe jo militantë me flamuj partiakë në dorë. Për këtë ka formula të suksesshme. Unë shpresoj që dialogu që do të nisë nesër të orientohet dhe të përqafojë këto formula. Për këtë vullneti ynë ekziston dhe vullneti im ekziston. Uroj që e njëjta gjë të ndodhë edhe me kryeministrin e vendit.

Zëri i Amerikës: Një element i rëndësishëm i reformës do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimeve. Ka pasur një konfuzion; të them të drejtën kur dëgjon çfarë ka dalë nga PD-ja nuk arrin të kuptosh ku qëndron Partia Demokratike lidhur me këtë institucion shumë të rëndësishëm. A mund të na e sqaroni ju lutem?

Lulzim Basha: Logjika është fare e thjeshtë. Ku mund të qëndrojë opozita në raport me një instrument që heton dhe lufton korrupsionin dhe ku ndodhet korrupsioni? Korrupsioni, si rregull, kudo dhe veçanërisht në Shqipëri ndodhet aty ku merren vendimet për paratë e shqiptarëve, aty ku merren vendimet për pasuritë e shqiptarëve. Çfarë interesi tjetër mund të ketë çfarëdo opozite, e në veçanti opozita ime, Partia Demokratike, përveçse ekzistencës së një institucioni të tillë. Dhe sigurisht, nga ana tjetër, ka një përpjekje për t’i rezistuar një institucioni të tillë, apo të paktën pavarësisë dhe mundësisë së një institucioni të tillë për të bërë hetime në nivele të larta të korrupsionit. Dhe këto tentativa u mishëruan në përpjekjen që BKH-ja të ndodhej nën sqetullën e kryeministrit fillimisht, pastaj nën sqetullën e ministrit të brendshëm, dy propozime që Venecia i çmontoi.

Zëri i Amerikës: ... Dhe propozimi juaj?

Lulzim Basha: Propozimi ynë do të ishte implementimi i Venecias. Byroja Kombëtare e Hetimeve nuk mund të jetë kurrë në vartësinë e asnjë institucioni përveç institucionit të cilit Kushtetuta i beson hetimin, që është Prokuroria Shqiptare.

Zëri i Amerikës: Ju do të prisni që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe pastaj të ngrihet BKH-ja?

Lulzim Basha: Ka dy mënyra për ta bërë këtë, me ndryshime kushtetuese që do të thotë ngritja e një organizate të re me kompencë të veçantë për luftën kundër korrupsionit…

Zëri i Amerikës: … që mund të dojë vite të tëra në pritje që të kalojë gjithë procesi….

Lulzim Basha: Prandaj duhet filluar një orë e më parë. Prandaj nuk duhet tjetër. Dhe së dyti, varianti tjetër është që të futet nën varësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, për të cilin nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese. Ne jemi të hapur për të diskutuar në meritat e tyre, në thelbin e tyre të dyja përqasjet dhe për të zgjedhur atë që funksionon më mirë.

Zëri i Amerikës: Për të marrë argumentin tuaj, si mundet një institucion që e keni pasur në ekzistencë deri tani dhe që ka pikëpyetjet e veta në luftën kundër korrupsionit, si mundet të udhëheqë luftën kundër korrupsionit dhe këtë radhë ta bëjë në mënyrë të tillë që të fitojë besimin e qytetarit, me transparencë, por edhe me rezultate që kërkohen nga vetë qytetari shqiptar, por edhe nga ndërkombëtarët?

Lulzim Basha: Kjo është pyetje shumë e rëndësishme, sepse ndërkohë që fokusi në reformën në drejtësi ka qenë pothuajse i përditshëm, kemi humbur pamjen e plotë të asaj që po ndodh në Shqipëri. Shqipëria nuk është Republika Prokuroriale e Shqipërisë, dhe as Republika Gjyqësore e Shqipërisë; është Republika e Shqipërisë – një demokraci parlamentare. Përgjegjësinë, pra, e ka shumica e zgjedhur me votë, çdo katër vjet normalisht, për të siguruar një ambjent në të cilin luftohet krimi dhe korrupsioni. Prokuroria ka përgjegjësitë e veta, por çfarë mund të pritet nga disa, apo nga një individ i vetëm, nëse krimi bashkëjeton me vendim-marrësit, nëse krimi është ulur këmbëkryq në Parlament dhe dikton vendim-marrjen; nëse krimi dikton se kush do të emërohet në dogana, kush do të emërohet në tatime, kush merr Lagunën e Patokut, ku emërohen drejtorët e OSHE-së, cili merr tenderat publikë, cili emërohet në polici?

Zëri i Amerikës: Këto janë probleme që e kanë ndjekur Shqipërinë prej vitesh zoti Basha...

Lulzim Basha: Jo në këtë masë, jo në këtë masë...

Zëri i Amerikës: Dakord por problemi ka qenë problem edhe gjatë qeverisjes suaj ...

Lulzim Basha: Pa dyshim, krimi dhe korrupsioni janë një sfidë e përhershme e çdo demokracie ...

Zëri i Amerikës: Ky është një problem i sistemit tashmë, është epidemi e krijuar brenda sistemit. Por ju po thoni që i besoni prokurorit dhe zyrës së prokurorit që të marrë në dorë këtë përgjegjësi që deri tani është thënë sistemi ekzistues nuk e ka përballuar për paaftësi, për interesa të brendshme. Atëherë si do ta kalojmë këtë BKH nën Prokurorin?

Lulzim Basha: Prandaj doja t’ju thoja që ka një kontrast këtu. Pa dyshim krimi dhe korrupsioni kanë qenë sfida të Shqipërisë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme. Por cili është ndryshimi: Në qeverisjet e mëparshme kishte luftë kundër krimit dhe korrupsionit me rezultate të prekshme dhe të verifikueshme të cilat çuan në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, të cilat çuan në heqjen e vizave. Sot çfarë kemi? Sot kemi një bashkëjetesë të krimit deri në nivelet më të larta, deri tek zyrtarë që janë përgjegjës për luftën kundër krimit, siç janë rastet që ne kemi denoncuar të ministrit të brendshëm, i cili është kapur në flagrancë duke gënjyer për fatin e makinës së tij, në vetvete vetë ajo gënjeshtër është e ndjekshme penalisht, për të shmangur një akuzë akoma më të rëndë që makina e tij ishte vënë në dispozicion të narkotrafikantëve. Pse e them këtë: Kemi të bëjmë me një fazë shumë të avancuar të krimit, kemi të bëjmë me një fenomen unik në Ballkan: Promovimin e personave me rekorde të tmerrshme kriminale që solli ligjin për dekriminalizimin.

Zëri i Amerikës: Ju mbani përgjegjësi për faktin, që korrupsioni arriti një nivel të atillë që tani ka një kakofoni të tillë, ka një angazhim të tillë të elementit ndërkombëtar për ta shkulur këtë problem, duke qenë se keni pasur pushtetin deri para tre vjetësh dhe duke qenë se zyrtarë të lartë nuk janë sjellë para drejtësisë megjithëse ka pasur akuza plot për korrupsion, për manipulime, për shkelje, për zhvendosje fondesh nga zyrtarë të lartë. Të mos harrojmë që flasim për një memorje krejt të vonshme...

Lulzim Basha: Qëndrimi im si kryetar i Partisë Demokratike ka qenë dhe është i qartë kristal. Ne jemi të japur dhe mbështesim çdo hetim të pavarur, profesional, të çdo akuze për korrupsion ndër zyrtarët tanë aktualë, apo ish-zyrtarët tanë duke filluar nga unë i pari. Por nga ana tjetër ne kërkojmë që të merret në shqyrtim seriozisht fenomeni i tmerrshëm i korrupsionit në këtë qeverisje që vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të qeverisë dhe jo të dhënave të opozitës, në dogana dhe tatime, pra në pikën e mbledhjes së të ardhurave zhduku 400 milionë dollarë dhe në pikën e shpenzimit të të ardhurave, në prokurime, një e treta e të cilave sipas të dhënave zyrtare u bënë të drejtpërdrejta, e padëgjuar edhe për vitin 2004, kur Banka Botërore tha që korrupsioni në Shqipëri ka kapur nivelet e kapjes së shtetit, prapë jo në këto nivele, 840 milionë dollarë pra të shpenzuara, dëm ekonomik pse? Për shkak të prokurimeve të drejtpërdrejta, apo prokurimeve jo konkurruese. 1.2 miliardë dollarë, pak më shumë por le ta marrim këtu, 400 dollarë për frymë u janë vjedhur shqiptarëve vetëm në një vit. Dhe kjo ka një impakt devastues, shkatërrues për ekonominë e vendit, për vendet e punës, për varfërinë, prandaj njerëzit janë jo vetëm të zhgënjyer, por unë gjatë këtyre ditëve para se të vija këtu kam qenë në Krujë, në Klos, në Burrel, në Berat, kam qenë mes njerëzve dhe kam prekur një shkallë zemërimi dhe indinjate të paprecent në jetën time 10 vjeçare politike. Thirrja ime edhe këtu nga Uashingtoni, si edhe nga Tirana është që t’i japim zë kësaj përballjeje që nuk është mes demokratëve dhe socialistëve, është midis oligarkëve që kërkojnë të përdorin shtetin dhe demokracinë kundër interesave të qytetarëve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë pavarësisht bindjeve politike. Kjo është thirrja që unë dua t’i jap zë edhe nga Uashingtoni, kjo është thirrja për të cilën Partia Demokratike dhe Lulzim Basha kanë gati alternativën.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, kemi një pyetje të fundit: ju po mbyllni një sërë takimesh këtu në Uashington, me figura mjaft të larta të administratës, ndërkohë ju keni një marrëveshje me firmën Podesta këtu në Uashington, një firmë mjaft e fuqishme. Pse i duhet një partie opozitare një firmë lobiste në një vend si Shtetet e Bashkuara ku ju ui keni dyert e hapura të takoheni me figura si Nuland?

Lulzim Basha: Absolutisht i kam dyert e hapura dhe do të vazhdoj t’i kem dyert e hapura. Kompania në fjalë është një kompani që ka mbështetur më parë Shqipërinë, që ka ndërtuar një bazë të rëndësishme të njohjes së realitetit dhe që do të vazhdojë të mbështesë së pari atë që i bën mirë Shqipërisë, standardet demokratike, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ju siguroj se për këtë Partia Demokratike nuk do të shpenzojë asnjë cent të vetëm.

Zëri i Amerikës: Megjithatë fondet duhet të jenë të konsiderueshme se këto nuk janë firma të lira ...

Lulzim Basha: Prandaj ju thashë, për këtë kontratë Partia Demokratike, nuk do të shpenzojë...

Zëri i Amerikës: A mund ta dimë shumën?

Lulzim Basha: Zero...Angazhimi për standartet, pra angazhimi jo për çështje thellësisht politike është një angazhim që nderon këdo ...

Zëri i Amerikës: Kush iu mbështet atëherë me këto fonde?

Lulzim Basha: Prandaj po them, është një angazhim që nderon këdo. Nuk ka, është një kontratë që siç është raportuar korrekt edhe në media, nuk ka një faturë financiare, nuk ka pagesë, është një angazhim për një çështje parimore që nuk i vlen vetëm Partisë Demokratike, i vlen po kaq Partisë Socialiste, partive të tjera politike. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, janë reforma të domosdoshme, krah reformës në drejtësi, për Shqipërinë evropiane dhe për këtë na duhet ndihma e çdo miku.

XS
SM
MD
LG