Bashkëshortja e serbit të Bosnjës Ratko Mladic, i cili kërkohet për krime lufte, thotë se nuk beson që ai të jetë gjallë.
Bosilkja Mladic është edhe vetë në gjyq në kryeqytetin serb, Beograd, për mbajtje pa leje të armëve që iu gjetën në shtëpi gjatë bastisjes së policisë në vitin 2008.
Ajo i tha gjykatës sot se nëse bashkëshorti i saj do të kishte qenë gjallë, ai do të kishte gjetur një mënyrë për ta kontaktuar familjen. Ajo tha gjithashtu se ai kishte kaluar tre goditje në tru.
Ish komandanti i ushtrisë së serbëve të Bosnjës ka qenë në arrati që nga viti 1995, kur gjykata e OKB-së për krime lufte e akuzoi për genocid në masakrën e Srebrenicës.
Prokurorët e OKB-së besojnë se Mladic fshihet në Serbi nën mbrojtjen e përkrahësve të tij.