Lidhje

Bashkimi i familjeve mes Koreanëve në Jug dhe Veri, mbetet i vështirë


Njoftimi i fundit i Koresë së Veriut se do të lëshojë një raketë me rreze të gjatë veprimi ka shtuar tensionet dhe ka ndikuar tek përpjekjet e pajtimit në gadishullin e ndarë. Kjo përfshin raunde të reja ribashkimesh familjare ndërkoreane me Korenë e Jugut. Qindra-mijëra të afërm kanë mbetur të ndarë që kur filloi lufta koreane në fillim të viteve 1950. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jason Strother njofton nga Seuli se disa koreano-jugorë po përdorin mënyra të reja për t’u ribashkuar me të dashurit e tyre nga veriu.

Kim Young-ja ishte 7 vjeç në prag të luftës koreane, në pranverë të vitit 1950. Ajo jetonte me gjyshërit e vet në një qytet Koreano-verior, përtej kufirit me Korenë e Jugut. Kim kujton ditën kur e pa nënën e saj për herë të fundit.

Kim thotë se e ëma donte ta merrte me vete në shtëpinë e tyre në një qytet tjetër. Por gjyshërit e saj kundërshtuan sepse mamaja e Kimit ishte martuar përsëri pas vdekje së të atit. Kim thotë se e vetmja gjë që mban mend është e ëma duke qarë.

Gjatë luftës Kim dhe të gjyshërit ishin ndarë nga e ema. Kur lufta mbaroi në vitin 1953, qyteti i Kimit ishte bërë pjesë e Koresë së Jugut dhe e ëma kishte mbetur në Veri.

Por Kim nuk i humbi kurrë shpresat. Në vitet 1990 ajo u lidh me kushërinj të largët në Kinë. Ajo mësoi se nëna e saj kishte vdekur, por se ajo kishte një vëlla nga nëna që jetonte në Phenian. Meqenëse nuk ka postë ose shërbim telefonik mes dy Koreve, motër e vëlla shkëmbyen letra përmes një ndërmjetësi kinez që udhëtonte shpesh në Korenë e Veriut.

Disa koreano-veriorëve u jepet leje zyrtare që të shkojnë në Kinë për t’u takuar me të afërmit. Kim thotë se i vëllai ishte shumë i sëmurë dhe nuk e bënte dot një gjë të tillë. Por në verë të vitit 2011, e shoqja e tij, kunata e Kimit, mori një leje udhëtimi.

Kim shkoi me avion në qytetin Dangdong, në kufi me Kinën për t’u takuar me një të afërm që as nuk e dinte se ekzistonte me parë. Ajo shpresonte të merrte informacione për jetën e së ëmës.

Kim thotë se kishte emocione të përziera kur takoi kunatën e saj. Ajo bëri shumë pyetje për të ëmën, por e shoqja e të vëllait e kishte njohur atë fare pak pasi e ëma e Kimit të vdiste.

Megjithëse Kim nuk i mori të gjitha përgjigjet që donte nga kunata, ajo ishte mirënjohëse që mund ta takonte. Ajo e di që është një shans që shumë koreanë të tjerë nuk do ta kenë kurrë.

Ribashkimet zyrtare të familjeve koreane janë ndërprerë që në vitin 2010 dhe nuk ka shenja që një raund tjetër do të rifillojë së shpejti. Kështu, duke mos pasur alternativa të tjera, disa koreano-jugorë si Kim Young-ja kanë vendosur t’i organizojnë vetë ato.

Sipas Kryqit të Kuq Koreano-Jugor, organizata që bën ribashkimet zyrtare, 800 mijë koreanë në jug shpresojnë të lidhen me të afërmit e tyre në veri.

Por Kim Seong-gun i Kryqit të Kuq thotë se nuk ka mbetur shumë kohë për këta njerëz që po u afrohen të 70-ave dhe 80-ave.

Ai thotë se në një vit, rreth 36 mijë vetë vdesin në pritje për t’u ribashkuar. Kjo do të thotë 10 vetë në ditë. Kim thotë se nuk e di se cili vend është më shumë përgjegjës për pezullimin e ribashkimit zyrtar. Por ai thotë se Koreja e Jugut shpesh i ka kërkuar asaj të Veriut të mbajë më shumë raunde dhe këto kërkesa refuzohen.

Shifrat e Kryqit të Kuq lënë të kuptohet se bashkimet familjare që organizohen privatisht ishin disa qindra në vit, para një dekade. Por ai numër tani është pakësuar për shkak të moshës së shkuar.

Megjithëse shumë nga këta njerëz nuk takohen dot personalisht ata po bëjnë të vetmen gjë të mundur për të ruajtur lidhjet. Shin Gu-Seo drejton një shoqatë për familje të ndara që organizon sh[këmbimet e letrave mes dy Koreve, përmes Kinës dhe Japonisë.

79 vjecari thotë se në dy dekadat e kaluara, ai ka ndihmuar rreth 400 koreano-jugorë të lidhen me të afërmit në veri, por duke pasur parasysh rrezikun që paraqet takimi direkt, kjo është alternativa e vetme e mundshme. Ai thotë se i dërgon të afërmve të tij edhe rroba të trasha për dimër.

Shin thotë se letrat që dërgon dhe merr ka shumë mundësi që kontrollohen nga qeveria koreano-veriore. Por kjo nuk e shqetëson atë. Ai thotë se është më mirë se asgjë. Kim Young- ja që takoi kunatën vitin e kaluar, thotë se takimi ishte më shumë nga c’kishte

Kim thotë se megjithëse nuk kishte mundur të takonte të ëmën, ose vëllanë, ajo ndjehet me fat. Ajo tha se ndjeu një lidhje të vecantë me të kunatën dhe se ishte një përvojë e mrekullueshme.

Por duke pasur parasysh gjendjen e marrëdhënieve ndër-koreane, Kim thotë se nuk është e sigurt se do të ketë ndonjë kontakt tjetër me familjarët e saj koreano-veriorë.

XS
SM
MD
LG