Lidhje

Bashkohen grupet terroriste al Shabab dhe al Qaida


Bashkohen grupet terroriste al Shabab dhe al Qaida
Bashkohen grupet terroriste al Shabab dhe al Qaida

Grupi Al Shabab i është bashkuar rrjetit terrorist të al Qaidës. Kjo vjen mbas një varg disfatash të këtij grupi militant përballë një ofensive të kordinuar të forcave shumëkombëshe në Somali. Disa analistë thonë se ky zhvillim i ri do të forcojë veprimet e dy grupeve terroriste në rajon.

Në një material filmik prej 15 minutash i paraqitur nga një shërbim vëzhgues interneti, i quajtur Grupi i Shërbimeve Inteligjente, udhëheqësi i al Qaidës Ayman al Zawahiri njoftoi se Al Shababi u bashkua me lëvizjen e al Kaidës kundër asaj që ai e quajti “Fushata e kryqëzorëve sionistë”.

Analisti somalez i organizatës këshilluese Southlink në Nairobi , Abdiwahab Sheikh Abdi Samed, thotë se ky njoftim zyrtar nuk do të forcojë vetëm al Shababin por edhe Al Qaidën.

“Meqë këto grupe po humbasin terren, ato po përpiqen që të riforcojnë njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja që pikërisht tani ata po bashkohen, duke thënë l’e të bashkohemi përderi sa kemi interesa dhe objektiva të përbashkëta”.

Në një njoftim të Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Somalisë të premten, ministri i informacionit dhe telekomunikacionit, Abdulkadir Hussein Mohamed tha: “Kjo nuk është e re për ne. Ne e dinim prej kohësh që ata ishin bashkë, që udhëheqësit e al Shababit ishin agjentë që paguar plotësisht nga al kaida dhe përfaqësues të saj, një organizatë e huaj terroriste e përfshirë në aktivitete më të mëdha joislamike për vrasjen e civilëve somalezë muslimanë”.

Ministri tha se qeveria është e lumtur që, sipas fjalëve të tij, koha e maskimit të Al Shababit si një organizatë indigjene muslimane ka marrë fund. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtarë që të bashkohet në luftën kundër al Qaidës në Somali.

Grupi militant ka luftuar kundër qeverisë së tranzicionit të Somalisë të mbështetur nga OKB-ja gjatë 5 viteve të fundit. Në vitin 2009, udhëheqësit e al Shababit publikun një video me titull “Në shërbimin tënd, Osama”. Në të njëjtin vit, edhe ish udhëheqësi i Al Qaidës Osama Bin Laden publikoi një video në të cilën ai bënte komente inkurajuese për kryengritjen në Somali.

Një gazetar politik kenian, Barrack Muluka i tha Zërit të Amerikës se asgjë nuk ka ndryshuar dhe bëri thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit në rajon.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dijë se ky nuk është një fenomen lokal, përball të cilit Kenia duhet të shqetësohet për të mbrojtur territoret nga al Shababi dhe al Qaida. Këtu kemi të bëjmë me terrorizëm ndërkombëtar dhe si i tillë duhet të tërheqë ndërhyrjen ndërkombëtare”.

Abdi Samed, i organizatës këshilluese Southlink thotë se al Shababi do të raportojë për veprimtarinë e tij tek shefi i al Qaidës Ayman al Zawahiri dhe duke bërë këtë, do të zbusë tensionet dhe kontradiktat politike brenda grupit.

“Manovra të tilla rrisin moralin e al Shababit dhe gjithashtu bindin ata që kanë mendime të ndryshme se tani Godane nuk është më i Al Shababit. Udhëheqësi i vërtetë i al Shababit është Ayan Zawahiri. Dhe kjo do të bindë ata që nuk janë të kënaqur me udhëheqjen e Godanit”.

Godane është Ahmed Abdi Godane, komandant i al Shababit, i cili konsiderohet si udhëheqësi kryesor i grupit.

Al Shababi është një përzierje rekrutësh, forcash milicore dhe luftëtarësh me pagesë. Grupi ka patur edhe qindra luftëtarë të huaj në rradhët e tij. Luftëtarët e huaj nga Pakistani, Afganistani dhe Jemeni kanë sjellë para, taktika dhe njohuri se si të aktivizojnë lëndët shpërthyese.

Zyrtarët perëndimorë të zbulimit gjatë viteve kanë thënë se luftëtarët e Al Qaidës kanë gjetur strehë tek al Shababi. Në janar të këtij viti, një avion amerikan pa pilot vrau një person që kishte pashaportë britanike me emrin Bilal al Berjawi. Ai ishte një shoqërues i afërt i ish udhëheqësit të al Qaidës në Afrikën Lindore Fazul Abdullah Mohamed, i cili besohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendosjen e bombave në amabasadat amerikane në Nairobi dhe Dar es Salaam. Ai u vra nga ushtria e qeverisë së Somalisë qershorin e kaluar në Mogadishu.

Vrasja e dy njerëzve të lartë të al Kaidës në rajon ka përçarë udhëheqjen e al Shababit, ku të dyja krahët akuzojnë njëra tjetrën që spiunojnë për shërbimet perëndimore të zbulimit. Vëzhguesit thonë se një prej roleve kyçe që al Qaida do të luajë është të shpërndajë tensionin mes luftëtarëve të moderuar dhe atyre që mbështesin një axhendë globale xhihadiste që kërcënon përçarjen e grupit.

XS
SM
MD
LG