Lidhje

Rasti Savile dhe reputacioni i BBC-së


Një sëri akuzash për abuzime seksuale, ndaj një prej drejtuesve televizivë më të njohur të BBC-së, të ndjerit Jimmy Savile, kanë tronditur reputacionin e Korporatës Britanike të Transmetimeve. Dyshimet se skandali nuk është hetuar siç duhet, kanë ngritur pikëpyetje mbi ndershmërinë dhe etikën e BBC. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sela Hennessy njofton nga Londra.

Jimmy Savile, i cili admirohej nga shumë britanikë, vdiq vitin e kaluar në fund të një karriere të gjatë para kamerave. Savile ishte i preferuar i veçantë në mesin e fëmijëve për programet e njohura argëtuese të lehta që ai drejtoi në televizionin e BBC-së, dhe u nderua për punën e tij për bamirësi. Por këtë muaj, në median britanike shpërtheu një skandal ku thuhet se Jimmy Savile kishte përdorur statusin e tij të famshëm për të joshur vajza të reja, shumë prej të cilave i ka abuzuar seksualisht. Javët e fundit, policia dhe BBC-ja kanë nisur hetime të veçanta dhe skandali duket të jetë në rritje. Peter Spindler është komandant i Policisë Metropolitane të Londrës.

"Kemi qenë në gjendje të identifikojmë 300 viktima. Ato janë kryesisht femra. Ka një apo dy meshkuj të përfshirë deri tani - kemi qenë në gjendje të flasin me 130 prej tyre dhe kemi regjistruar rreth 114 akuza për ngacmime seksuale ose sulme të rënda seksuale ".

Pjesa më e madhe e abuzimeve për të cilat dyshohet Jimmy Savile përqëndrohen tek rinjtë që merrnin pjesë në programet e BBC-së, dhe shumë incidente dyshohet të kenë ndodhur në mjediset e BBC-së.

Kjo ka ngritur pikëpyetje lidhur me llojin e kontrollit që ka ushtruar BBC-ja për të mbrojtur individët. Gjithashtu po bëhen përpjekje për të përcaktuar se cilët nga menaxherët e BBC-së ishte në dijeni për pedofilinë e dyshuar të Savile-it.

Kanë dalë thashetheme se sjelljet e Savile diheshin brenda BBC-së për shumë vite. Pas vdekjes së tij, BBC-ja ishte duke u përgatitur për të folur për këtë çështje në një nga programet e lajmeve të mbrëmjes. Por programi u pezullua, dhe në vend të tij BBC-ja transmetoi një program që nderonte kujtimin e Jimmy Savile.Drejtuesit e lartë të BBC-së tani janë në qendër të vëmendjes në lidhje me trajtimin e rastit “Savile”.

Redaktori I emisionit të lajmeve të mbrëmjes Peter Rippon ka dhënë dorëheqjen; drejtori i ri i përgjithshëm i BBC-së, George Entwistle, është përballur me pyetje nga ministrat britanikë dhe Mark Thompson, ish drejtori i përgjithshëm i BBC-së, tani president i ri dhe shef ekzekutiv i gazetës The New York Times, ka dhënë dëshmi për atë që ai dinte në lidhje me rastin Savile.

Ben Page, drejtues i firmës Ipsos MORI, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se kjo krizë do të ndikojë tek emri i BBC-së, por jo aq shumë në aspektin afatgjatë.

"Besimi tek BBC-ja është më i madh se sa besimi tek një individ, është më i madh se sa një skandal. Do të duheshin një sërë skandalesh të njëpasnjëshme që do të dëmtonin besimin tek BBC-ja. Pra, padyshim ai do të tronditet, por BBC-ja ka një reputacionin më të gjerë."

Ai thotë se në Britani, reputacioni i BBC-së e tejkalon atë të çdo institucion tjetër.

"Ne pyetëm në vitin 2008, se cilin prej institucioneve besonin më shumë britanikët - dhe shumë njerëz besojnë më shumë BBC-në sesa besojnë Kishën e Anglisë, ushtrinë, qeverinë, apo Shërbimin Shëndetësor Kombëtar".

Përveç Jimmy Savile, BBC-ja thotë se tani është duke hetuar pretendimet për abuzim seksual dhe ngacmime kundër nëntë anëtarëve të stafit dhe kontribuesve.
XS
SM
MD
LG