Lidhje

Riorganizim i strukturës së drejtimit të agjencisë që mbikqyr Zërin e Amerikës


Udhëheqja e transmetimeve ndërkombëtare të qeverisë amerikane do të konsolidohet nën drejtimin e një shefi ekzekutiv me kompetenca të gjera, sipas një legjislacioni që pritet të nënshkruhet së shpejti nga Presidenti Barack Obama.

Ndryshimet ishin të përfshira në një ligj për buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017 që u miratua javën e kaluar nga të dyja dhomat e Kongresit.

Ligji e ndryshon strukturën drejtuese të Bordit të Guvernatorëve të Transmetimeve (BBG) , agjencia që mbikqyr Zërin e Amerikës dhe njësitë e tjera të transmetimit, një prej të cilave është Radio Evropa e Lirë.

Bordi dypartiak me nëntë anëtarë që mbikqyr BBG-në do të zëvendësohet nga një Bord tjetër më i vogël këshillimor që nuk do të ketë kompetenca vendimmarrëse të cilat do të transferohen tek shefi ekzekutiv, një post i ri i krijuar në shtator 2015. Në të ardhmen personi që do të jetë në këtë post do të emërohet nga presidenti dhe konfirmohet nga Senati.

Përkrahësit e legjislacionit thonë se ndryshimet do të kontribuojnë në rritjen e efektivitetit dhe do të eliminojnë një bord që funksionin me kohë të kufizuar dhe është kritikuar për mungesën e efektivitetit.

Por kritikët thonë se bordi shërben si një ndarje e rëndësishme mes gazetarëve të agjencisë dhe krahut politik dhe argumentojnë se eliminimi i tij do të dëmtonte pavarësinë editoriale dhe besueshmërinë.

Çdo shef ekzekutiv i emëruan nga Presidenti duhet të konfirmohet nga Senati, që aktualisht kontrollohet nga republikanët.

Ligji ishte hartuar para zgjedhjeve presidenciale dhe kishte mbështetjen e administratës së Presidentit Obama. Por Michael Kempner, një anëtar i Bordit i emëruar nga Presidenti Obama, thotë se ligji është i gabuar.

"Asnjë president, demokrat ose republikan, nuk duhet të ketë kompetencat të ketë kontroll të pakufizuar mbi këto organe të medias amerikane. Është pavarësia e këtyre mediave që i bën aq të besueshme dhe efektive në gjithë botën. Dhe pa atë pavarësi, thjesht kthehet në një propaganda që nuk gëzon besim”, tha ai në një intervistë.

Disa njoftime mediash kanë lënë të kuptohet se ndryshimi do të thotë se Zëri i Amerikës dhe transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë, do të kthehen në megafonë de facto për Presidentin e zgjedhur, Donald Trump.

Por John Lansing, shefi aktual ekzekutiv i BBG-së ka thënë se pavarësia e agjencisë është ende e mbrojtur. Në një email dërguar personelit para disa ditësh, ai tha se “ruajtja e pavarësisë sonë gazetareske dhe besueshmëria jonë në gjithë botën, vazhdojnë të kenë një rëndësi jetike”.

"Legjislacioni nuk sjell ndryshime në ndarjen mes qeverisë federale dhe gazetarëve në pesë rrjetet tona. Kjo ndarje mbetet e paprekshme dhe shefi ekzekutiv është i detyruar me ligj që ta ruajë funksionin e saj”, tha zoti Lansing.

XS
SM
MD
LG