Lidhje

Takimi në Bruksel: Mbrojtje të përbashkët për BE-në


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakort në Bruksel për një bashkëpunim më të madh në fushën e mbrojtjes dhe të zbulimit, ndërsa kontinenti është goditur nga një seri sulmesh terroriste. Pak progres u arrit për sfidat e tjera, si Brexit dhe kriza e emigrantëve. Shifrat më të fundit tregojnë se 81 mijë emigrantë kanë hyrë në Evropë përmes Mesdheut gjatë këtij viti, ndërsa pritet që fluksi të vazhdojë.

Nën masa të forta sigurie, axhenda e takimit të udhëheqësve evropianë në Bruksel u përqëndrua pikërisht tek çështja e sigurisë. Ata ranë dakort për një bashkëpunim më të madh për shkëmbimin e informacioneve të zbulimit, si dhe nivelin e shpenzimeve për mbrojtjen.

“Po shpenzojmë gati gjysmën e buxhetit ushtarak të SHBA-së, por efektshmëria jonë është vetëm në nivelin 15%. Pra, ka vend për përmirësim dhe për këtë po mundohemi”, tha Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Jashtë godinës, një grup muzikor refugjatësh, i quajtur “Sirianët kanë talent”, po i dërgonte një mesazh muzikor udhëheqësve të BE-së.

“Duhet t’i mirëpresim dhe t’i ndihmojmë të krijojnë një jetë të re”, thotë deputetja hollandeze në Parlamentin Evropian, Judith Sargentini.

Jo të gjithë në Evropë kanë të njëjtën ndjesi. BE-ja po ndërmerr masa ndaj Hungarisë, Polonisë dhe Republikës Çeke, të cilat kanë refuzuar kuotat për pranimin e refugjatëve.

“Sistemi do të funksiononte mirë nëse do të kishte përgjegjësi të përbashkët nga të gjitha vendet e BE-së, por nuk po ndodh kështu”, thotë Riccardo Noury, i organizatës “Amnesty International”.

Presidenti francez tha se Evropa do të shqyrtojë shkaqet e krizës.

“Është një sfidë afatgjatë që kërkon zgjidhje afatgjata për të stabilizuar Afrikën, Lindjen e Mesme dhe të Afërme”, tha Presidenti Macron.

Megjithë sfidat, është rigjallëruar optimizmi në BE.

“Eurozona po rritet sërish. Pra, gjërat duken mirë. Por, BE-ja vazhdon të përballet në thelb me problematikat e saj strukturore, qoftë nëse bëhet fjalë për krizën e emigracionit, të Eurozonës, apo të hapave prapa për demokracinë në vende si Hungaria dhe Polonia. Këto probleme nuk po zgjidhen dhe do të vazhdojnë të rikthehen”, thotë profesori i Kolegjit “King” në Londër, Anand Menon.

U diskutua gjithashtu dalja e Britanisë nga Bashkimi. Oferta e Kryeministres Theresa May për të drejtat që do të gëzojnë në të ardhmen shtetasit e BE-së që jetojnë në Britani, u konsiderua nga udhëheqësit e BE-së se nuk përmbush pritshmëritë e tyre – një shenjë kjo se negociatat me Britaninë do të jenë të vështira.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG