Lidhje

BE financon 10 projekte shqiptare për të drejtat e njeriut


Bashkimi Europian mbështeti sot me 1,2 milionë euro dhjetë projekte të organizatave shqiptare për mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe forcimin e demokracisë. Projektet parashikojnë mbështetjen e grupimeve në nevojë; respektimi i të drejtave njerëzore në paraburgim, ndihmë juridike për fëmijët dhe romët, ndihmë ekonomike për viktimat e dhunës në familje, shërbime për personat me aftësi të kufizuara, shërbime për fëmijë e të rinj me autizëm, përfaqësimi në jetën politike i grave nga zonat rurale. Të drejtat e njeriut në këto fusha janë pjesë e 12 detyrave që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë para se të fitojë statusin e vendit kandidat.

“Ky fond prej 1,2 milionë euro do të ndihmojë në shpalosjen e vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare dhe të Bashkimit Europian. Projektet do të mbulojnë fillimisht shqetësimet e ngutshme dhe më tej do të studiojnë gjendjen konkrete në terren për rregullime më të kujdesshme” - tha ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sequi.

Ai tha se demokracia shqiptare ka nevojë për trajtim të barabartë mes burrit dhe gruas në famlje, në shkollë dhe në punë; që romët, egjiptasit dhe shqiptarët të kenë të mundësi të barabarta për shkollë, në punë apo kudo tjetër; që edhe personat me aftësi të kufizuara të marrin pjesë në jetën e shoqërisë. “Mbrojtja e të drejtave njerëzore është dhe duhet të jetë puna jonë e përditshme” - tha ambasadori Sequi, i cili u bëri thirrje autoriteteve që të përmirësojnë dialogun me shoqërinë civile.

BE ka mbështetur organizatat shqiptare me 600 mijë euro çdo vit për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Veprimtarët shqiptarë kanë marrë rreth 11 milion euro për të nxitur respektimin e të drejtave të njeriut, integrimin e pakicave, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e mjedisit. Komisioni Europian deklaroi në Opinionin e tij se Shqipëria duhet të trajtojë me përparësi “mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos për gratë, fëmijët dhe romët, politikat anti-diskriminuese” dhe “përmirësimin e trajtimit të të ndaluarve në stacionet e policisë, në paraburgim dhe burgje”, në mënyrë që të vlerësohet për statusin e vendit kandidat.

XS
SM
MD
LG