Lidhje

Udhëheqësit e BE optimistë për Greqinë


Udhëheqësit evropianë i dhanë fund një takimi dyditësh të nivelit të lartë në Bruksel, ku arritën marrëveshje për emërimin e një mbikqyrësi të vetëm për bankat e eurozonës, duke filluar nga viti tjetër. Ndërkohë po sot, udhëheqësit e Bashkimit Evropian shfaqën shenja optimizmi për Greqinë.

Udhëheqësit evropianë vlerësuan përparimin që ata thonë se ka bërë Athina drejt reformimit të ekonomisë dhe balancimit të buxhetit. Por mes tyre ka ende shqetësime se Greqia mund të mos jetë në gjendje të paguajë këstin e kredisë edhe pse ka marrë dy paketa shpëtimi. Ata shqetësohen se Greqia madje mund të detyrohet të largohet nga eurozona.

Meqenëse deri tani, huadhënësit ndërkombëtarë nuk kanë nxjerrë ndonjë raport, nuk mund të merret asnjë vendim lidhur me vazhdimin e ndihmës për Greqinë.

Sot, një ditë pas një tjetër proteste kundër masave shtrënguese, e cila u shndërrua në dhunë, atmosfera në rrugët e Athinës ishte më e qetë. Por shkurtimi i shpenzimeve qeveritare është në qendër të kritikave.

Antonis Dremecikas, i cili ka dalë në pension në moshën 68 vjeç, pas 54 vitesh punë, ankohet për masat shtrënguese që kanë shkaktuar pakësimin e pensioneve dhe rritjen e taksave.

Antonis Dremecikas, pensionist
"Rruga ku po ecën Greqia nuk është ajo drejt përparimit, por drejt greminës. Është turp të shkohet nga kësti në këst. Ata po na turpërojnë kur na thonë: ejani të merrni këstin. Dhe nën këtë trysni, ata na detyrojnë të marrim masa. Këto nuk janë masa zhvillimi, por masa mjerimi".

Të tjerë shprehin besim se kryeministri grek Antonis Samaras do të ketë sukses në marrjen e këstit të ardhshëm të kredisë.

"Unë besoj se ai do të ketë sukses dhe se ndoshta evropianët do të bien dakord, sepse nuk kanë nga ja mbajnë,” thotë një tjetër banor i Athinës.


Theodore Krintas, drejtor menaxhues në firmën Atica Wealth Management, tha se prirjet në tregun e bursës afirmojnë se Greqia është në rrugën e duhur:

Theodore Krintas, Atica Wealth Management
“Besoj se ky afirmim, që Greqia është në rrugën e duhur, pason mesazhet e mëparshme të udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe pak a shumë tregjet po e prisnin diçka të tillë. Tregjet tani do të përqendrohen te kësti tjetër për Greqinë.”

Kreditorët e Greqisë, Bashkimi Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane, javët e fundit kanë qenë të angazhuar në negociata të vështira për shkurtimet buxhetore të vendit.


Grupi i kreditorëve, i njohur si troika, ka thënë se nuk do të japë kredi të reja po nuk u morën masa të reja shkurtimesh. Pa këto kredi, Greqia mund të mos jetë në gjendje të paguajë dhe të largohet nga eurozona.


Athina ka bërë thirrje për një zgjatje dy-vjeçare të programit të saj për rimëkëmbjen ekonomike që përfundon në vitin 2014. Por kreditorët kanë frikë se një zgjatje e tillë mund të jetë e kushtueshme për ta.
XS
SM
MD
LG