E bukura varet nga syri i shikuesit” – një thënie e vjetër që, kur thuhet, tërheq kundërshtime nga shumë njerëz. Por organizatorët e ekspozitës së kryeveprave fotografike të shekullit të XX dhe XXI në Musée de l'Élysée në Lozanë besojnë dhe po promovojnë pikërisht këtë ide.
Ekspozita “Beauty of Lines” (Bukuria e Linjave), përfshin 160 fotografi nga koleksioni i gjerë i çiftit nju-jorkez Sondra Gilman dhe Celso Gonzalez-Falla; koleksion i cili konsiderohet si një nga pesë koleksionet private më të mira në botë.
https://www.voanews.com/a/beauty-of-lines-exhibit-musee-de-lelysee/4247894.html
“Ekspozita është një eksplorim i bukurisë së fotografisë”, thotë Tatyana Franck, drejtore e muzeut fotografik zviceran të njohur ndërkombëtarisht.
“Ekspozita ka për qëllim që vizitorët ta përjetojnë bukurinë ashtu si e ndjejnë”, tha ajo. “Nuk mund të shpjegohet bukuria. Është diçka që njeriu e ndjen vetë, varur nga historia e tij”.
Fotogaleri: Ekspozita "Beauty of Lines" në Musée de l’Élysée
Hera e parë në Evropë
Kjo është hera e parë që veprat e përzgjedhura nga 1500 foto origjinale nga koleksioni privat i çiftit shfaqen në Evropë. Koleksioni përfshin veprat e 73 fotografëve të shquar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Amerika Latine, Evropa dhe Japonia, si Berenice Abbott, Robert Adams, Henri Cartier-Bresson, Imogen Cunningham, Rineke Dijkstra, Robert Mapplethorpe, Man Ray dhe Hiroshi Sugimoto.
Kur u takua për herë të parë me dy koleksionistët tre vjet më parë, Tatyana Franck tha se mbeti “e habitur nga entuziazmi dhe pasioni i tyre për fotografinë” dhe dëshira “për ta ndarë pasionin e tyre me botën”.
Celso Gonzalez-Falla i tha Zërit të Amerikës se për të, kjo nuk është e pazakontë. “Arsyeja pse ne blejmë fotografi dhe po krijojmë koleksionin tonë është që ta ndajmë me të tjerët”.
Sondra Gilman pajtohet. “Filozofia jonë është se askush nuk duhet ta zotërojë artin. Arti i përket botës. Të kesh vepra arti të mrekullueshme dhe t’i kufizosh ato në një familje ose në një grup të vogël njerëzish është e papranueshme” thotë ajo.
Koleksioni ndjek organizim tematik
Ekspozita në vetvete nuk është kronologjike. Është një organizim tematik që përcjell universalitetin e shprehjes artistike përmes fotografive, të cilat eksplorojnë idetë dhe konceptet e njerëzimit, shoqërisë dhe natyrës pa u kufizuar nga koha apo kombësia.
Ajo është e ndarë në tre pjesë: Lines (Linja), Abstractions (Abstraksione) dhe Curves (Kurba).
“Linjat, sidomos vijat e drejta dhe paralele përdoren nga fotografët që duan të përshkruajnë realitetin”, shpjegoi Franck. “Linjat e drejta, vertikale dhe paralele janë përdorur nga artistët jo vetëm për të ilustruar realitetin, por edhe për të përcjellë disa mesazhe sociologjike”.
Një shembull i vlefshëm për këtë është një foto e vitit 1933, “View of Exchange Place from Broadway”, nga fotografja amerikane Berenice Abbott. Fotografia paraqet një imazh të një qyteti modern në të cilin ndërtesat e larta qëndrojnë ngjitur me njëra-tjetrën, duke krijuar një ndjenjë vetmie dhe pafuqie ndër njerëzit e vegjël dhe pothuajse mikroskopikë, që ndodhen poshtë tyre.
Ky imazh pak a shumë klaustrofobik është balancuar nga një pamje e hapur e veprës “The George Washington Bridge”, një fotografi e urës George Washington në Nju Jork, nga Margaret Bourke-White, korrespondentja amerikane e luftës dhe një nga gratë e para fotoreportere.
Tatyana Franck tha se Bourke-White donte të shfaqte pozitivisht modernitetin e Nju Jorkut me atë imazh të urës së famshme. Edhe pse fotografia është bërë në vitin 1933, Franck tha, “sot, gati 100 vjet më vonë, ajo vazhdon të duket si fotografi bashkëkohore”.
Ka edhe artistë të panjohur
Megjithatë, fotografia e zgjedhur për kopertinën e katalogut të ekspozitës nuk është vepër e një emri të famshëm, por e një artisti të panjohur italian, Augusto Cantamessa.
Fotografia, “Breve Orizzonte” (Horizont i Shkurtër), dallohet për bukurinë e saj poetike. Në të shihet një rreth pemësh të holla, dhe poshtë tyre, dy njerëz në biçikletë.
“Ai ishte zbulim i vërtetë për ne. Nuk kishim dëgjuar më parë për këtë fotograf”, tha Franck. “Ajo që e bën këtë koleksion jashtëzakonisht interesant është se Sondra Gilman dhe Celso Gonzales-Falla ... nuk tërhiqen nga emrat. Kriteri i tyre është cilësia” kur blejnë fotografi.
Gilman pajtohet se ajo dhe burri i saj nuk preken nga fama. “Ne tërhiqemi vetëm nga imazhi, nga gjykimi ynë dhe reagimi emocional”.
Abstraksione dhe Kurba
Një nga shembujt më të mirë gjendet në pjesën e dytë, Abstractions, ku përfshihet një foto e vitit 1960 nga fotografi amerikan, Ray K. Metzker, e quajtur “Venice” (Venecia).
Në këtë fotografi, si në të tjerat në pjesën e dytë, bota reale zhduket pas linjave abstrakte, duke krijuar një lloj tjetër realiteti. Fotografia e Metzker-it shfaq dy dyer të zeza të ndara nga një çarje e madhe vertikale përmes së cilës shkëlqen një dritë e mprehtë dhe gati verbuese. Franck tha se ishte e sigurtë se pas atyre dyerve ajo do të gjente “dritë dhe një diell të madh dhe mikpritës”.
“Është përsosmëri në kompozim” tha ajo. “Është si një përvojë shpirtërore”.
Curved Lines (Kurbatura) janë të përfaqësuara në ekspozitë me veprat e fotografëve Edward Weston, Andre Kertesz dhe Robert Mapplethorpe, ndër të tjerë. Kurbat, apo linjat e lakuara e tregojnë jetën ashtu siç është. Ata janë simbol i sensualitetit; tregojnë qeniet njerëzore në lëvizje, duke lëvizur nga një situatë në një tjetër.
Ekspozita, e cila është e hapur deri më 6 maj, është paraqitur bukur brenda ambienteve intime të muzeut. Nga bisedat me vizitorët, koleksioni duket se ka ndryshuar mënyrën se si disa tani e shohin artin e fotografisë.
'Fotot bisedojnë me njëra-tjetrën'
Madje ka shtuar një dimension të ri në mënyrën se si Gilman dhe Gonzalez-Falla e shohin koleksionin e tyre.
“Ekspozita ka ndryshuar krejtësisht mënyrën se si i shikoj fotografitë e mia, sepse kurrë nuk i kemi analizuar ato në mënyrë kaq dukshme sa të izolojmë linjat” tha Gilman. “Na ka hapur një botë të re”.
Gonzalez-Falla pati një reagim të ngjashëm. “Ne gjithmonë i shikonim fotografitë tona, sepse na pëlqenin”, i tha ai Zërit të Amerikës. “Ekspozita tani më bën ta shoh koleksionin me sy tjetër”.
Duke e quajtur atë një “prezantim të mrekullueshëm”, Gonzalez-Falla tha se ishte i kishte bërë përshtypje veçanërisht mënyra se si janë varur fotografitë. “Fotot duket sikur bisedojnë me njëra-tjetrën”.
Facebook Forum