Lidhje

Liban: Protesta gjatë funeralit të al-Hassanit


Qindra pjesëtarë të forcave të sigurisë në Liban qëlluan sot me armë zjarri në ajër dhe përdorën gazin lotsjellës për shpërndarjen e një grupi protestuesish, ndërsa ata u përpoqën të hynin me forcë në zyrat e kryeministrit Naxhip Mikati, në qendër të Beirutit.

Protestuesit kërkonin dorëheqjen e kryeministrit lidhur me vrasjen e shefit të zbulimit Wissam al-Hassan. Skena kaotike në kryeqytetin libanez ndodhi pasi mijëra vetë ishin mbledhur në Sheshin e Martirëve të kryeqytetit libanez, për të marrë pjesë në funeralin e shefit të zbulimit që u vra të premten, bashkë me 7 persona të tjerë në një sulm me makinë bombë.

Shumë vetë fajësojnë për këto vrasje qeverinë e Sirisë fqinjë. Ushtarë libanezë të armatosur rëndë bllokuan rrugët dhe vendosën një kordon sigurie në sheshin ku kaloi kortezhi me arkivolin e gjeneral brigadës Wissam al-Hassan, i mbështjellë me flamurin libanez. Ish-kryeministri libanez Saad Hariri i bëri thirrje mbarë qytetarëve të marrin pjesë në ceremoni.

Në Liban tensionet kanë qenë të larta pas sulmit. Si zoti Hariri, edhe udhëheqësi i opozitës, Walid Jumblatt kanë akuzuar presidentin sirian Bashar al-Assad si organizatorë të sulmit. Qeveria e kryemnistrit libanez Naxhip Mikati mbështetet nga grupi pro-sirian Hezbollah.
XS
SM
MD
LG