Lidhje

Tiranë: Drejtoresha e VOA-s, Bennett, takim me gazetare dhe veprimtare të njohura


Në vazhdim të turit të saj në Ballkan, drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, kreu një vizitë dyditore në Tiranë, ku u takua me një mori figurash të njohura të gazetarisë, shoqërisë civile, të politikës dhe të shtetit shqiptar.

Një takim të veçantë zonja Bennett zhvilloi me drejtuese dhe gazetare të njohura të medias vendase si dhe veprimtare të shoqërisë civile. Ato diskutuan së bashku mbi sfidat e gazetarisë së sotme në Shqipëri dhe në SHBA, ku debatet mbi saktësinë e lajmeve po zënë në vend të rëndësishëm.

Zonja Bennet tha se të gjitha pyetjet që bëhen sot për lajmet e rreme, e kanë përgjigjen tek përcaktimi sa më i saktë i të vërtetës.

Tani e vërteta po përcaktohet përherë e më qartë, theksoi ajo, dhe gazetarët po përpiqen ta gjejnë atë, sipas këtij interpretimi të ri, që erdhi pas debateve mbi lajmet e rreme.

Përplasjet mbi vërtetësinë e lajmeve, sipas saj, po i shtyjnë gazetarët që të punojnë më shumë për të shkruar lajme të vërteta dhe të bëjnë një gazetari më të mirë.

“Gjithë mediat përreth botës janë polarizuar dhe janë pak ndihmuese për njerëzit, duke ecur në shtigje të rrezikshme, ndërsa “Zëri i Amerikës” gjithmonë ka qenë në mes dhe në qëndrim të drejtë. Këtu dëgjova vlerësime për Elezin dhe shërbimin tonë në gjuhën shqipe, se askush nuk mund ta përdorë atë për qëllimet e veta. VOA nuk mund të përdoret, sepse kemi disa standarte, ndaj nuk mund të përdoret. Për ruajtjen e këtyre standarteve ne mbetemi çdo ditë të angazhuar. Kjo është fuqia e vërtetë e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile”, - tha zonja Bennett.

“Zëri i Amerikës” është i pavarur dhe ruan standartet më të larta të gazetarisë profesionale, tha ajo, si dhe pasqyron pikëpamjet e ndryshme mbi çështjet që diskutohen, dhe kjo është një nga vlerat më të mëdha të jetës dhe kulturës amerikane.

Drejtorja e “Zërit të Amerikës”, Bennett u prit gjatë kësaj vizite në Tiranë nga autoritetet më të larta të shtetit shqiptar në takime të posacme, nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, dhe nga kryeministri Edi Rama, me të cilët shkëmbeu mendime mbi zhvillimet më të fundit në median dhe shoqërinë shqiptare.

Në këto takime ajo ishte së bashku me kolegët e saj të “Zërit të Amerikës” në divisionin e Euro-Azisë dhe të seksionit në gjuhën shqipe.

Zonja Bennett mori pjesë në një forum të Universitetit Europian të Tiranës, ku diskutoi me një auditor të gjerë studiuesish dhe gazetarësh mbi sfidat e sotme të gazetarisë.

Ajo theksoi se njerëzit kanë nevojë për media të përgjegjshme, edhe pasi përfundojnë krizat e tensionet.

“Gjendja e medias në Shqipëri - tha zonja Bennett - pasqyron gjendjen e mediave në botë, ku ka shumë presione politike, presione ekonomike për të patur sa më shumë ndikim, dhe kjo betejë është më e ashpër se asnjëherë, ndaj edhe bashkëpunimi midis vetë mediave është mjaft i rëndësishëm”.

Zonja Bennett tha se “njerëzit kërkojnë gjithmonë të vërtetën, por gazetarët e kanë të vështirë, sepse ajo gjendet midis shumë detajesh të tjera të pavërteta, ndaj duhen verifikuar të dhënat për të nxjerrë shkrime të sakta e të ndershme”.

Në takimin me zonjën Bennett krahas shumë profesorëve, drejtues mediash dhe gazetarë, erdhën edhe deputetë studiues dhe zyrtarë të fushave të ndryshme.

Ajo tha se gazetarët nuk mund të ndalojnë dot përpjekjet e qeverive të përhapin lajmet e manipuluara, por ajo që mund të bëjnë gazetarët është të qëndrojnë besnikë parimeve të punës së tyre.

“Ajo që ne mund të bëjmë e të kontrollojmë përballë këtij presioni në rritje është të ruajmë standartet që ne kemi. Dilema sot në mediat e polarizuara është çfarë njerëzit besojnë dhe jo se cila është e vërteta. Vlerat e gazetarisë tonë në VOA janë balancimi dhe renditja e drejtë e fakteve nga të gjitha palët dhe me përgjegjshmëri” - tha ajo.

Drejtorja e “Zërit të Amerikës, Amanda Bennett po viziton prej disa ditësh Ballkanin.

Kjo është vizita e parë që një drejtuese e nivelit më të lartë të “Zërit të Amerikës” viziton këtë rajon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG