Lidhje

Qeveria po studion uljen e taksave për biznesin


Zoti Berisha tha se “një nga problemet kryesore është që tregu i punës është ngurtësuar"

Qeveria shqiptare u angazhua sot të ulë më tej taksat dhe barrën fiskale për të ndihmuar bizneset. Kryeministri Sali Berisha deklaroi në një konferencë me qarqet e biznesit dhe përfaqësues të universiteteve se qeveria ka ulur dhe do të ulë edhe më shumë taksat në mënyrë që biznesi të rritë prodhimin dhe punësimin si dhe të përballojë situatat e vështira ekonomike aktuale.

Zoti Berisha tha se “një nga problemet kryesore është që tregu i punës është ngurtësuar dhe nga të gjitha palët duhen bërë përpjekje që tregu i punës të jetë sa më fleksibël”. Po ashtu, sipas tij, “sistemi bankar shqiptar për shkak të krizës së euros po përjeton vështirësi reale sepse shumë prej bankave kanë ardhur nga vende të eurozonës”.

“Leksioni më i rëndësishëm i krizës ekonomike - tha zoti Berisha - është vazhdimi i prodhimit industrial që ka potencial të dyfishohet dhe prodhimi bujqësor që ka mundësi të dhjetëfishohet”.

Ndërkaq Banka Qendrore bëri të ditur se ekonomia shqiptare pritet të mbetet në ritme të ulta. Guverntatori i Bankës Qendrore Ardian Fullani deklaroi se rritja ekonomike është e kushtëzuar nga rënia e konsumit dhe e investimeve private si dhe nga mungesa e stimujve fiskal.

“Qeveria tha ai është detyruar të kufizojë shpenzimet dhe investimet, për shkak të një niveli të ulët të të ardhurave, ndërsa vijon ecuria e dobët e investimeve private dhe qytetarët kanë ulur ndjeshëm konsumin”. Sipas Bankës Qendrore, ekonomia shqiptare nuk po jep shenja të forta gjallërimi, ritmet e saj mbeten të ulëta, edhe pse pritet që ajo të vazhdojë një rritje pozitive.
XS
SM
MD
LG